Fule: Shqipërisë i kemi vendosur një kusht shtesë, zgjedhje të lira e të ndershme

Postuar në 05 Dhjetor, 2012 04:31

Stefan Fule, komisioneri europian për zgjerimin, ka deklaruar dje nga Parisi se Shqipërisë i është vendosur një kusht shtesë për statusin e vendit kandidat, që janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, nëse do të zhvillohen të lira dhe të ndershme. Në një fjalim para senatit francez, komisioneri nga Republika Çeke, nuk ka përcaktuar si kusht një votim mekanik të tri ligjeve, por ka përmendur zgjedhjet dhe reformën parlamentare si kushtet thelbësore që duhet të plotësonte Shqipëria që të merrte “OK” nga Brukseli. Pasi bëri një ekspoze të rrugës që po ndjekin vendet e rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Fule komunikoi dhe faktin se Komisioni Europian kishte rritur kërkesat për Shqipërinë në këmbim të dhënies së statusit të vendit kandidat, ku futej dhe implementimi i reformës elektorale, ose thënë ndryshe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ne nuk po propozojmë ende hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, por për marrjen e statusit të vendit kandidat do të ketë dhe disa kushte shtesë që lidhen me reformën elektorale, atë parlamentare dhe punën në disa prioritete kyçe. Këtu përfshihen shteti ligjor, administrata publike dhe të drejtat themelore. Mbajtja e ankoruar e Shqipërisë pranë perspektivës europiane, mund të luajë një rol të rëndësishëm në konsolidimin e stabilitetit politik dhe sigurimin e vazhdimësisë së reformave”, theksohet në deklaratën e komisionerit për zgjerim. Fule sqaroi përpara senatorëve francezë se aktualisht Komisioni Europian po i vendoste një vëmendje të madhe “shtetit të së drejtës” dhe “zbatimit të ligjit” në secilin nga vendet që kërkonte integrim. Komisioneri për zgjerim, theksoi se Komisioni Europian do të vazhdonte të kishte si prioritare, forcimin e qeverisjes së mirë për çdo vend dhe reformimin e sistemit gjyqësor. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të tjera prioritete që sipas Fules do të jenë në vëmendje të komisionit. Shqipëria e humbi shansin për të marrë edhe këtë vit statusin e vendit kandidat. Pavarësisht se në muajin tetor, Komisioni Europian propozoi që Shqipëria ta merrte këtë status, partitë politike dështuan të plotësonin rekomandimet e mbetura pezull. Kështu pasi pala shqiptare kishte përmbushur nëntë prioritete, asaj i kishin mbetur pa plotësuar dhe tre të tjera, që lidheshin me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, Administratën Publike dhe reformën parlamentare. Mosplotësimi i tyre deri në fundin e muajit nëntor dogji përfundimisht mundësinë e Shqipërisë për marrjen e këtij statusi. Kjo është hera e tretë që Shqipëria nuk arrin dot të kalojë këtë fazë të rëndësishme të rrugës drejt Bashkimit Europian, duke mbetur një nga vendet e fundit në rajon pa statusin e vendit kandidat. Shkak për këtë është bërë mosgjetja e gjuhës së bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me ligjet që kërkohen për zgjerimin. Opozita kërkon që mazhoranca të zbatojë ligjet në vend, në mënyrë që ajo të japë votën për miratimin e drafteve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga mazhoranca, duke bërë që vendi të vijojë ngërçin politik dhe për pasojë ngecjen me procesin e integrimit europian.

 

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.