FILLOJNË INTERVISTIMET PËR VRASJEN E MUSTAFËS

Vrasja e Xhemajl Mustafës duket se do të zbardhet së shpejti. EULEX’i ka intervistuar bashkëshorten e ish-zyrtarit të LDK’së dhe personat që janë të dyshuar për këtë rast. Jozyrtarisht, në misionin europian për rend dhe ligj rikonfirmojnë se një deputet dhe një zyrtar policor janë të dyshuarit kryesorë.
Hetuesit e EULEX’it kanë filluar t’i marrin në pyetje disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës.
Burime të Gazetës Express kanë konfirmuar se tashmë janë intervistuar disa persona në lidhje me vrasjen e ish-këshilltarit të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
“Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij”, tha burimi i gazetës në kushte anonimiteti.
Përveç tyre më herët është marrë në pyetje edhe Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemajl Mustafës.
E bija e Mustafës, Beriana konfirmon se Prokuroria Speciale e EULEX’it e ka ftuar më herët në intervistë nënën e saj.
“Prokuroria ka marrë në pyetje nënën time, por prej asaj kohe më nuk kemi asnjë informatë nga EULEX’i”, tha e bija e Xhemajl Mustafës.
Një burim i gazetës mirë i informuar ka thënë se EULEX tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.
“Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike”, ka thënë burimi i gazetës.
EXPRESS
Add new comment