Festa e Kurban Bajramit kremtohet në mbarë vendin

Postuar në 04 Tetor, 2014 08:32

Festa e Kurban Bajramit është festuar edhe në qytete të tjera të vendit. Qindra besimtarë kanë falur mëngjesin e sotëm namazin, dhe kanë kryer ritet fetare. Qytetarët kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe harmoni. Festimet në kuadër të kësaj dite kanë vijuar në të gjitha qytetet kryesore të vendit.

Shkodër
Moti i paqëndrueshëm ka bërë që besimtarët myslimanë të Shkodrës të kremtojnë ceremoninë e faljes së Kurban Bajramit në xhamitë e metropolit verior, ndryshe nga vitet e tjera kur ceremonia e faljes bëhej në një nga sheshet kryesore të qytetit. Besimtarët myslimanë kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit, një ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun, dhe që përbën për to festën e madhe të mëshirës, faljes, mirëkuptimit dhe paqes.

Korçë
Ashtu si në gjithë Shqipërinë edhe në qytetin e Korçës mijëra besimtarë myslimanë kanë marrë pjesë së faljen për Kurban Bajramin. Shumë besimtarë janë mbledhur prej orëve të para të mëngjesit në xhaminë e Medresesë në qytetin e Korçës për t’u falur për Namazin. Më pas kjo ditë e shënuar ka vijuar me vizita të zhvilluar në Medresenë ku kanë qenë të pranishëm personalitete të pushtetit vendor por edhe te besimeve të tjera që kanë edhe një urim për këtë ditë, duke treguar se harmonia fetare është një vlerë e vyer e popullit tonë.

Kukës
Në Kukës besimtarë të shumtë nga qyteti dhe fshatrat përreth falën sot në mëngjes Kurban Bajramin në xhaminë e këtij qyteti. Myftiu i rrethit Islam Hoxha, para faljes së Namazit të Kurban Bajramit tha se, “kjo festë është për të gjithë që të na nxisë të jemi të gatshëm e të bëjmë sakrifica për të mirën e të gjithë shqiptarëve”.

Dibër
Me dhjetëra besimtarë myslimanë në rrethin e Dibrës i janë drejtuar pallatit të sportit “Bashkim Lala” për ritualin e faljes së Kurban Bajramit.

Faljes ju bashkuan edhe drejtuesit vendorë të krahinës, të cilët në kuadër të kësaj ditë të shenjtë apeluan për më shumë tolerancë dhe mirëkuptim.

Fier
Orët e para të mëngjesit me dhjetëra besimtarë myslimanë në rrethin e Fierit i janë drejtuar xhamisë së qytetit për të falur kurban bajramin.

Mesazhet në kuadër të kësaj festë të shenjtë të besimit mysliman ishin për më shumë drejtësi për të varfrit paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit.

Lezhë
Festa e Kurban Bajramit është festuar edhe në qytetin e Lezhës. Me qindra qytetarë i janë drejtuar xhamisë së qytetit që në orët e para të mëngjesit për të bërë faljen e namazit, ndërsa kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe dhe harmoni. Drejtuesit vendorë kanë zhvilluar vizita në myftininë e Lezhës duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.