Festa e Kurban Bajramit

Postuar në 15 Tetor, 2013 07:42

Edhe pse në një ditë me shi, mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën mëngjesin e të martës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në kryeqytet, për të kryer faljen e Kurban Bajramit.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça i uroi gjithë besimtarët myslimanë për një jetë më të begatë dhe mbarësi në familjet e tyre.

"Ju uroj të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Festën e Kurban Bajramit, me të mira, me gëzime, me familjarët dhe afërmit", uroi Selim Muça.

Një urim për Kurban Bajrimin, drejtoi dhe Kryegjyshi i Bektashinjve.

"Në këtë Kurban Bajram njeriu tregon sakrificat që bën ai për nder të Perëndisë dhe tregohet dashuria e Zotit ndaj njeriut. Kjo është një ditë e madhërueshme të paqes, miqësisë dhe dashurisë mes njëri-tjetrit. Zoti na bekoftë të gjithëve", uroi kryegjyshi Edmond Brahimaj.

Nga ana tjetër, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra falenderoi të gjithë ata besimtarë, të cilët pavarësisht shiut, u mblodhën për të kryer faljen e Kurban Bajramit. I pyetur lidhur me ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet Gurra theksoi se tashmë kjo gjë nuk ka më asnjë diskutim, pasi ka mbështetjen e të gjithë opinionit dhe politikës shqiptare.

"Jam i bindur se besimtarët janë paralel me mendimin e Qeverisë për ta mbyllur këtë kapitull, për ndërtimin e xhamisë së re. Myslimanët jo vetëm kanë shpresë, por besojnë fuqishëm që tashmë kapitulli i xhamisë duhet të mbyllet. Nuk ka asnjë arsye, ka edhe një vullnet tepër pozitiv nga vetë Qeveria për ta mbyllur këtë kapitull, sigurisht në mënyrën më fisnike", tha Myftiu.

Myftiu i Tiranës Gurra ka zbuluar për Top Channel dhe një detaj lidhur me xhaminë e re. Sipas tij, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, emri i xhamisë është vendosur.

"Ne do të mbetemi në respekt të vlerave tona kombëtare, ndoshta do të quhet Xhamia e Namazgjasë. Do të jetë ndoshta emri më i përshtatshëm për të", thotë Myftiu Gurra

Pas faljes së mëngjesit të gjithë besimtarët myslimanë i drejtohen banesave të tyre, ku dhe kryejnë ritin tradicional të prerjes së Kurbanit.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.