Fatmir Mediu: Armët kimike nuk duhen shkatërruar në Shqipëri

Ish- ministri i Mbrojtjes dhe Mjedisit, i akuzuar sidomos për çështjen e ligjit të importit të plehrave, thotë se armët kimike siriane nuk duhen shkatërruar në Shqipëri.
Duke folur për GSH, Fatmir Mediu tha se legjislacioni shqiptar nuk e lejon importin e këtyre mbetjeve.
Për më tepër, Mediu thotë se vendi nuk ka kushtet e sigurisë për të kryer shkatërrimin e këtyre armëve.
“Kam dëgjuar edhe komentet që, Shqipëria ka kapacitetet për trajtimin apo shkatërrimin e lëndëve kimike apo armëve kimike. Meqenëse kam qenë dëshmitar i atij procesi dhe e kam kryer atë proces në kohën që kam qenë ministër i Mbrojtjes, një marrëveshje e lidhur që në kohën e zotit Majko, për statimin e armëve apo lëndëve kimike që i kishim në Shqipëri, dua t’i bëj gjithë opinionit publik me dije se ai ka qenë një proces tërësisht i kontrolluar dhe me teknologji, me mbështetje të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në bashkëpunim me një kompani gjermane nën dijeninë time. Dhe ne si Forca të Armatosura nuk kemi qenë pjesë e procesit, por vetëm e ruajtjes së zonës së mbikëqyrjes së procesit, në pikëpamje jo teknike, por të sigurisë. Çdo koment tjetër, po ju them se është një koment i ekzagjeruar, që mund të bëhet për kapacitetin që ka Shqipëria për demontimin e lëndëve apo armëve kimike,” tha Mediu./ep
Tema
Add new comment