Fatkeqësia si festë

Postuar në 17 Shkurt, 2013 03:52

 

Plani Rregullues i Tiranës (PRRT), nëse vërtet merr rrugë pas aprovimit të befasishëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përbën vërtet një fatkeqësi, edhe pse miratimit të tij kryeministri në fjalimin e tij të gjatë i dha dimensionin e një feste.

Mesazhi i fjalimit të kryeministrit në këtë takim ngjan shumë me lajmin tjetër të ditës, që 21 Janari po shqyrtohet që të kthehet ditë feste.

Por le te kthehemi tek “Plani”, që kryeministri e lakoi plot 24 herë. E ngriti në qiell këtë plan, e quajti si stadin madhor në zhvillimin e Tiranës së shekullit të XXI dhe këtë mbledhje të KKT-së e quajti një prej ngjarjeve më të rëndësishme të 20 viteve të fundit në historikun e zhvillimit të Shqipërisë.

Festë për kryeministrin dhe fatkeqësi për popullin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, në këtë ditë që i hapet rruga zbatimit të një plani që nuk teprohet të quhet kriminal. Tirana ndodhet vërtet në një pikë kritike të historisë së saj, ku do të vendoset nëse do të jetë një qytet i banueshëm ose jo. Plani që sapo u miratua, e bën Tiranën një qytet të pabanueshëm.

Sot, siç pranojnë dhe hartuesit e Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) të këtij plani, Tirana ka 15.000 banorë për km2 kundrejt 4000 banorë për km2 që është standardi i qyteteve europiane. Mjafton kjo shifër për të kuptuar se hartuesi, i cili po planifikon të shkojë në 25,000 banorë për km2, qëllimisht hedh në erë të ardhmen europiane të kryeqytetit. Në fakt qëllimi nuk ka shumë të ngjarë të jetë mirëfilltazi shkatërrimi i të ardhmes, se sa përfitimi i së tashmes, i së tashmes në dimensionin disajavor, i së tashmes parazgjedhore të hartuesit, por që çon pashmangmërisht në shkatërrimin e së ardhmes.

Dendësia e popullsisë 4 herë mbi standardet europiane mbart me vete gjithë pasojat negative që rrjedhin prej saj, siç është për shembull ndotja e ajrit 3-5 herë më e lartë se standardet e lejuara të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjë që konvertohet në mijëra vite jetë të humbura. Nëse plani do të synonte që të ruante këtë dendësi të popullsisë dhe të konvertonte ndonjë hapësirë gri në hapësirë të gjelbër brenda qytetit, do ishte një plan i pranueshëm e i pakundërshtueshëm. Në të kundërt plani parashikon që të derdhet qindra-mijëra m3 beton në Tiranë, ku sipas planit do të akomodohen dhe 400,000 banorë të tjerë në vitet e ardhshme, duke arritur kështu në një dendësi të frikshme prej 25.000 banorë për km2, që nuk ka një të të dytë sot në botë, ndërkohë që intensiteti e dendësia e shtuar do kapë së pari hapësirat e gjelbra ekzistuese, duke i zëvendësuar ato në hapësira betoni.

Por ndërsa plani është 30 vjeçar, hapësirat e gjelbra do zihen me siguri brenda 3 muajve (pra para zgjedhjeve të qershorit).

Densifikimi i mëtejshëm i qytetit të Tiranës do të nxisë fluksin e lëvizjeve nga komunat e bashkitë përqark qytetit drejt qytetit të Tiranës, dhe nga komunat e bashkitë prej gjithë territorit të vendit drejt periferisë dhe vetë qendrës së Tiranës, duke kapur shifrën e papërballueshme mbi 1 milion banorë për Tiranën. Kështu, si rrjedhojë e një plani me interesa jo vetëm afatshkurtra, por dhe fare të ngushta, në planin afatgjatë piketojmë krimin e shkatërrimit të jetës jo vetëm për Tiranën, por shkatërrimin e perspektivës së zhvillimit të gjithë vendit, si rrjedhojë e nxitjes së largimit të popullsisë prej vendburimeve të resurseve natyrore dhe hapësirave ku mund të gjenerohen të mira materiale, efektivitet ekonomik e mirëqenie, drejt një hapësire super të ngushtë, ku nuk prodhohet, por vetëm konsumohet.

Ligji i planifikimit të territorit e detyron hartuesin e planit, dhe për më tepër hartuesin e VSM-së, të studiojë edhe impaktin në shkallë kombëtare të PRRT-së së Tiranës, por në fakt nuk ka asnjë rresht në VSM ku të shprehet se ç’ndodh jashtë Tiranës e periferisë së saj.

Dhe së fundi hartuesit e këtij plani çrregullues të kryeqytetit e të gjithë vendit, z.Berisha e z.Basha, e quajtën këtë plan Kushtetuta e kryeqytetit, por kanë harruar që Kushtetuta miratohet me referendum. Sa mirë që kohët e fundit kryeministri i ka për zemër referendumet.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.