Fajon: Ballkani Perëndimor ka bërë progres

Anëtarja e Parlamentit Europian dhe raportuesja për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon tha se vendet e Ballkanit perëndimor kanë bërë hapa pozitivë gjatë viti të fundit, por theksoi se axhenda evropiane duhet të kthehet në axhendë kombëtare.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë disa hapa vendimtarë drejt anëtarësimit në BE. Në vitin e fundit janë bërë shumë hapa pozitivë. Përveç hapave të marra nga Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, rezultate pozitive janë arritur në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku dialogu i nivelit të lartë ka sjellë fokusin në reformat e mprehta. Dialogu ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës në Shqipëri ka kontribuar për t’i dhënë fund bllokimit politik në vend dhe reformat zgjedhore dhe parlamentare janë shpërblyer me progres”- është shprehur Tanja Fajon.
Sipas saj, axhenda e BE-së duhet të kalojë përtej axhendave kombëtare, dhe kjo duhet të arrihet nëpërmjet konsensusit të përbashkët nga të gjitha subjektet politike brenda vendit aspirant.
Fajon është shprehur se, gatishmëria për hapjen e negociatave me BE-në në lidhje me anëtarësimin nënkupton gatishmërinë për zbatimin e reformave në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe politike.
Fajon u shpreh se nuk do të lejojë rikthimin e vizave për vendet që tashmë e kanë fituar lëvizjen e lirë.
PANORAMA
Add new comment