EULEX paraburgos Limajn

Postuar në 25 Nëntor, 2012 04:34

EULEX-i kishte zgjedhur vikendin, gjegjësisht ditën e shtunë, që ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limajt dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij, Naser Shalës, Naser Krasniqit dhe Nexhmi Krasniqit t’u shqiptojë masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh.

Pas një spektakli mediatik disaorësh, për gjoja “aksionin e policisë” për arrestimin e deputetit Fatmir Limaj dhe katër të tjerëve të akuzuar për krime lufte, që doli të ishte spekulim, një kolegj i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, ka miratuar kërkesën e prokurorit të EULEX-it, Maurico Salustro, që të dyshuarve të të ashtuquajturit rasti “Kleçka” t’u shqiptohet masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, për shkak të rrezikut që të dyshuarit të arratisen jashtë Kosove.

 

Para se të caktohet masa e paraburgimit është mbajtur një seancë dëgjimore, ku trupi gjykues ka dëgjuar kërkesën e prokurorit dhe deklarimet e avokatëve të të dyshuarve.

Prokurori Salustro, sipas avokatëve të katër të akuzuarve e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin se të njëjtit mund të ikin nga Kosova dhe rrjedhimisht t’i ikin ballafaqimit me drejtësinë.

Tre ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shala, Naser Krasniqi dhe Nexhmi Krasniqi, janë marrë të parët në pyetje nga prokurori i EULEX-it. I fundit ndërkaq, është marrë në pyetje Fatmir Limaj, i cili para se të ftohej nga EULEX-i ka qenë në Shqipëri, ku është nderuar me titullin qytetar nderi i qytetit historik të Vlorës.

Ndërkaq, me të dëgjuar se policia e misionit evropian po e kërkon, Limaj është rikthyer në Prishtinë, ku së bashku me avokatin e tij, Tahir Rrecaj, ka shkuar në EULEX, siç është thënë, për të marrë ftesën, e më pas nga aty ka vazhduar për në Gjykatën Supreme, ku i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Sapo është marrë vendimi për paraburgim kanë reaguar avokatët e të akuzuarve, të cilët e kanë cilësuar hapin e trupit gjykues si vendim absurd, të turpshëm dhe të pabazë.

Avokati i deputetit Fatmir Limaj, Tahir Rrecaj, ka thënë se vendimi i kryetarit të trupit gjykues është vendim skandaloz dhe i ndikuar politikisht.

“Është absurde që Limaj sot ka ardhur në bazë të një thirrje telefonike nga Tirana dhe është paraqitur në kohën e caktuar në policinë e EULEX-it dhe në gjykatë, dhe të thuhet se ekziston rreziku i ikjes. Kjo është me të vërtetë e paprecedent dhe kjo nuk ka guxuar të ndodhë në drejtësinë e Kosovës. Ne do të apelojmë aktvendimin, nesër do të shkruaj ankesën, ditën e hënë do ta paraqes dhe shpresoj e besoj se Kolegji i Gjykatës Supreme, i cili është kompetent të vendosë lidhur me ankesën do ta anulojë këtë vendim, sepse nuk ka asnjë arsye të vetme ligjore që ky vendim të qëndrojë”, ka thënë Rrecaj, duke shtuar se është absurde dhe është fyese për karakterin dhe personalitetin e Limajt, që t’i thuhet se duhet të qëndrosh në paraburgim sepse mund të ikësh nga Kosova.

Shumë më i ashpër se Rrecaj është treguar avokati tjetër, Mahut Halimi, i cili në rastin “Kleçka” mbron Nexhmi Krasniqin, i cili ka thënë se rasti i Limajt dhe të tjerëve është riaktualizuar pasi që shefi i EULEX-it, Marnak, e ka vizituar Beogradin zyrtar.

“Gjyqtari si kryetar i trupit gjykues i cili thirret në këtë lëndë nuk e ka asnjë shkresë të vetme të lëndës, nuk e ka asnjë faqe, nuk e ka marrë vendimin të cilin Gjykata Supreme e ka komunikuar para disa ditësh. Shtrohet pyetje, mbi çfarë bazash gjykatësi si kryetar i trupit gjykues vendos për masën e paraburgimit pa mbështetje ligjore në kundërshtim me dispozitat themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në kundërshtim me dispozitat e Konventës Evropiane mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të cilat thirret aq shumë misioni i EULEX-it dhe vetë me të dy këmbët i shkelë”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se do të shtrojë ankesë te Kolegji i Gjykatës Supreme.

Edhe avokati i Naser Shalës, Naser Krasniqit, Bajram Tmava, është shprehur i indinjuar me veprimin e gjykatësve të EULEX-it, i cili gjithashtu ka paralajmëruar ankesë. “Ky është nonsens i llojit të vet që pa baza ligjore, pa kritere dhe pa autorizime ligjore të caktohet paraburgimi”, ka thënë shkurt ai para gazetarëve.

Ish- komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj me ish- bashkëluftëtarët e tij, ishte shpallur i pafajshëm për rastin “Kleçka” në muajin maj të këtij viti nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Mirëpo, prokurori i rastit, Maurico Salustro kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, ku kjo gjykatë në afat rekord arriti që ta shqyrtojë këtë rast, dhe kolegji i gjyqtarëve ka anuluar vendimin e gjykatës së parë, duke e rikthyer rastin nga fillimi.

Për më tepër, Gjykata Supreme ka vendosur që të shpallë si të pranueshme deklaratat dhe ditarin e dëshmitarit kryesor, Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”, i cili kishte bërë vetëvrasje shtatorin e vitit të kaluar në Gjermani.

Trupi gjykues i Gjykatës Supreme ka vendosur po ashtu që të pranojë provat që ishin gjetur në shtëpinë e Fatmir Limajt, në ditën kur shtëpia e këtij të fundit ishte bastisur për një hetim në lidhje për korrupsion.

Sikurse provat e gjetura në shtëpinë e Limajt e po ashtu dëshmitë e dëshmitarit “X”, ishin shpallur të papranueshme nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm për krime lufte edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Zëri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.