THE END

Seriali i nisur më 29 Nëntor 2012, që në qendër kishte një lidhje të mundshme mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, përfundoi të hënën. Në episodin e fundit dy personazhet u takuan dhe nuk arritën të merren vesh për të bashkëqeverisur. Thaçi, ashtu siç pritej, nuk ia dha Haradinajt postin e Kryeministrit.
Që kur u kthye nga Haga, në vazhdimësi kërkoi të vijë në pushtet.
Madje për t’u bërë sërish Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ka edhe një plan.
E, për ta bërë këtë realitet nuk hezitonte të deklarohet i gatshëm “me punue” në qeverisjen e vendit.
Por dritën jeshile për këtë nuk ia dha të hënën ai, postin e të cilit e kërkonte me ngulm Kryeministri i Kosovës.
Hashim Thaçi i tha Jo kërkesës së Haradinajt për t’u bërë Kryetar i Qeverisë.
Përgjigjen finale ia dha të hënën pasdite gjatë një takimi me liderin e AAK’së.
Lajmin ndërkaq e kumtuan të parët vetë zyrtarët e partisë së Haradinajt, që insistonte aq shumë të hynte në Qeverinë, të cilën në vazhdimësi e kishte kritikuar.
“Pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK’së dhe AAK’së, në rrethanat e tanishme”, thuhet në njoftimin për medie.
Përgjigje rreth refuzimit të tij dha edhe vetë kreu i PDK’së, Hashim Thaçi.
Në një konferencë për medie të hënë, Thaçi tha se koalicioni aktual nuk ka nevojë për ndryshime.
“Koalicioni aktual është jashtëzakonisht stabil, është efektiv dhe efikas dhe do të vazhdojë punën e vet”, ka thënë Thaçi.
I njëjti pohoi se pavarësisht se nuk janë marrë vesh për koalicion me AAK’në do të vazhdojnë bashkëpunimi.
“Ne sot kemi zhvilluar një takim të shkëlqyeshëm me zotin Haradinaj jemi pajtuar që të thellojmë bashkëpunimin në interesat shtetërore, të bashkëpunojmë në shumë çështje e në veçanti në reformën elektorale, për perspektivën europiane të Kosovës, për reformat demokratike, për procesin e dialogut”, tha Kryeministri.
Ndërsa nuk ka mohuar mundësinë që në rrethana e tjera të bashkëqeverisë me Haradinajn.
“Jemi dakorduar që të punojmë për çështje të përbashkëta të interesit shtetëror, ndërsa për hapat e mëtejmë do t’i marrin në bazë të kushteve dhe rrethanave të reja politike”, tha Thaçi.
Krejtësisht i relaksuar pas kësaj ndërkaq është shfaqur partneri i tij aktual qeverisës, lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Ky i fundit edhe më herët në një intervistë për Express pati thënë se nuk i druhet ndonjë koalicioni PDK- AAK.
“Unë personalisht gjithmonë kam qenë i relaksuar, nuk jam marr asnjëherë me spekulimet as në biseda, kështu që asgjë s’ka ndryshuar sa i përket punës tonë”, ka thënë Pacolli të hënën.
Ndryshe, Ramush Haradinaj që nga kthimi nga Haga kishte proklamuar idenë e tij për t’u kthyer në Kryeministri.
Këtë kishte thënë se dëshiron ta bëjë për një qeverisje më të mirë, duke kritikuar këtë aktualen.
Kushti i tij jo vetëm për koalicion ishte pozita e Hashim Thaçit, porse ky i fundit që nga fillimi ia kishte bërë me dije se nuk ia lëshon atë.
Pavarësisht kësaj Haradinaj deri dje është shfaqur në vazhdimësi optimist sa i përket synimit të tij, por që doli të jetë i kotë.
AAK të hënën ndërkaq tha se do të vazhdojë rruhen e saj politike si parti opozitare, duke ofruar kontribut në çështjet me interes shtetëror, siç janë: Dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë; Reforma e sistemit zgjedhor dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Europian.
“Si parti opozitare, AAK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata e AAK’së.
Tashmë dihet se kjo parti deri më tani ka qenë mbështetësja më e madhe e pozitës në Parlament, duke kontribuar në realizimin e të gjitha nismave parlamentare të PDK’së.
Kjo ndonëse së bashku me opozitën AAK i ka numrat edhe ta rrëzojë Qeverinë aktuale.
EXPRESS
Add new comment