Durrës, dhunuan me grushte e vodhën 59 vjeçarin, kapen 2 të rinjtë

Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë dy të rinj, të akuzuar për vjedhje me dhunë ndaj një 59 vjeçari, ditën e djeshme në zonën e Plazhit. Në pranga kanë rënë Elvis Hasani, 21 vjeç, banues në Shkozet, i dënuar e akuzuar disa herë më parë për vjedhje, shitje narkotikësh dhe plagosje si dhe 16 vjeçari me iniciale K.M, banues ne Durrës, akuzuar më parë për vjedhje.
Sipas policisë, dy të rinjtë rreth orës 16.30 të ditës së djeshme, poshtë mbikalimit të Urës së Dajlanit në zonën e Plazhit, pasi kanë pikasur 59-vjeçarin, E.V., e kanë sulmuar atë duke e goditur me grushta dhe pasi e kanë shtrirë përtokë i kanë marrë orën që mbante në dorë, unazën e floririt si dhe portofolin.
Pas punës hetimore dhe identifikimit të autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, gjatë kontrolleve të ushtruara 16 vjeçarit K.M. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale ora e vjedhur, e markës ‘Tissot’.
Ndërkohë rezultoi se unaza është shitur prej tyre në një argjendari kundrejt vlerës prej 7.000 lekë dhe është shkrirë, ndërsa portofoli i vjedhur pas marrjes së shumës së të hollave në të është hedhur.
Materialet proceduriale të kësaj ngjarje i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”.
Add new comment