Durrës, dhunohet në institucionet e kujdesit 17-vjeçarja autike

Postuar në 13 Tetor, 2013 06:30

I ati i vajzës rrëfen momentet e tmerrit: Ka qenë tentativë për përdhunim 

Shpresa Mezini

Xh. Juba, është 17 vjeç, përjetësisht e dënuar për të mos jetuar si gjithë të tjerët. Ajo është autike, sindromë që prindërit e kanë konstatuar që kur ishte fare e vogël. Ajo kupton mirë gjithçka që ndodh përreth, por në pamundësi për të folur nuk arrin të shpjegojë asgjë. Përveçse fatkeqe, e mitura është pre e dhunës së ushtruar në shkollën speciale në qytetin e Durrësit, të cilën e ndiqte prej disa muajsh. Të paktën ky është pretendimi i zotit Taulant Juba, të atit të vajzës, i cili denoncon në gazetën “Shqip” ngjarjen e tmerrshme që i ka ndodhur të bijës.

Vajza, prej disa kohësh, jetonte në qendrën rezidenciale për personat me aftësi të kufizuara në Durrës, ndërsa çdo ditë shoqërohej me furgon bashkë me fëmijët e tjerë për të ndjekur 4 orë mësim në shkollën speciale. Mirëpo, dita e premte ka qenë e premtja e zezë si për vajzën autike ashtu edhe për familjarët e saj, të cilët janë njoftuar në orën 10.00 të paradites së dy ditëve më parë se vajza e tyre është gjetur e çarë, e gërricur, me të qepura në kokë, e gjakosur në pjesën më të madhe të trupit.

Këtu fillon historia. Zoti Juba deklaron se vajza e tij është dhunuar, madje ai këmbëngul se ka shumë mundësi të jetë tentativë për përdhunim. Nga njëra anë punonjës të qendrës rezidenciale që pohojnë se vajza është nisur nga ky institucion në orën 08.20 drejt shkollës speciale, ndërsa është kthyer në orën 10.10 e shoqëruar me një prej mësuesve të shkollës speciale, e qepur në kokë, me të çara, të gërricura. Nga ana tjetër, mësuesit e shkollës, të cilët deklarojnë se 17-vjeçarja është gjendur në klasë e veshur trashë, me një kapuç në kokë, ndërsa në faqe i rridhnin currila gjaku, çka u kishte bërë përshtypje mësuesve, të cilët këmbëngulin se vajza ka mbërritur në shkollë në këtë gjendje, duke i hedhur fajin qendrës rezidenciale për personat me paaftësi. Kjo është ngjarja që Taulanti, babai i vajzës autike tregon i prekur thellësisht nga kjo ngjarje, që thotë se ka tronditur tërësisht jetën e tij.

Kush ju njoftoi për ngjarjen që i kishte ndodhur vajzës suaj?

Babai i 17-vjeçares

Ditën e premte, rreth orës 10.00 më telefonuan nga qendra rezidenciale për personat me aftësi të kufizuara ku e kam dërguar vajzën prej disa muajsh dhe më thanë që duhet të paraqitem urgjentisht në spitalin e Durrësit për shkak se vajza ka mbërritur nga shkolla speciale në qendër me të qepura të mëdha në kokë, me të çara të tjera në trup, të gërvishtura. U trondita tej mase, s’di t’jua përshkruaj ndjesinë që provova në ato momente. Më kujtohet vetëm që për shkak të asaj që dëgjova nuk kam mundur të nisem drejt Durrësit, duke qenë se unë jetoj në Tiranë. Bashkëshortja ime (njerka e vajzës) u nis urgjent për në spitalin e Durrësit bashkë me hallën time.

Çfarë ndodhi pas kësaj?

Me të mbërritur atje bashkëshortja ime e kishte gjetur vajzën të shoqëruar nga punonjësit e qendrës për personat me paaftësi, të cilët e kishin dërguar urgjentisht në spital për t’iu drejtuar mjekut dhe për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur me të miturën, që sipas tyre ishte paraqitur në qendër e shoqëruar nga një mësues i shkollës speciale, i cili përpara se ta dërgonte në qendër e kishte çuar në spital për mjekim, ku i kishin qepur plagët në kokë.

Ku ka qenë vajza në momentin kur ka ndodhur ngjarja?

Jam më se i bindur që vajza ime është dhunuar në shkollën speciale. Në orarin kur ka ndodhur ngjarja vajza ka qenë në shkollë, pavarësisht se mësuesit mohojnë duke ia hedhur fajin qendrës. Ata këmbëngulin se vajza është gjetur në klasë duke i rrjedhur gjak nga kapuçi që kishte në kokë, që mësuesit thonë se ia kanë veshur punonjësit e qendrës për të maskuar ngjarjen e ndodhur dhe për t’ia ngecur shkollës. Por kjo është gënjeshtër. Vajza ime nisej çdo ditë me furgon nga qendra në shkollën speciale dhe orari kur ka ndodhur ngjarja përkon me orën kur ajo ishte në mësim. Një tjetër fakt është deklarata e mjekut. Doktori na tha se vajzën e kishte mjekuar një herë, ndërsa kishte qenë e shoqëruar nga një mësues i cili i kishte kërkuar ndihmë. Pasi e kishte mjekuar mësuesi ishte larguar bashkë me vajzën.

Po mësuesit çfarë thonë?

Mësuesit e përgënjeshtrojnë. Ata thonë se vajza është gjetur e veshur trashë, me kapuç në kokë, ndërsa gjaku i rridhte në faqe. Nuk pranojnë që ngjarja ka ndodhur në ambientet e tyre. Unë jam i bindur që vajza është dhunuar. Ato thonë që s’kanë dijeni për atë që mund t’i ketë ndodhur, në një kohë kur punonjësve të qendrës një prej mësuesve, por edhe drejtoresha i kishte thënë që e dërguan në spital, sepse vajza është rrëzuar nga shkallët. Jepnin versione të ndryshme fshehtazi. Në sytë tanë nuk pranojnë që vajza është dhunuar apo aksidentuar, ndërsa përfaqësuesve të qendrës u kanë thënë që është rrëzuar në shkollë, pastaj i kanë dhënë një version tjetër, që ka rënë nga karrigia. Deklaratat e tyre nuk përputhen, ato po gënjejnë dhe po ia hedhin fajin qendrës me të padrejtë. Punonjësit e qendrës u treguan korrektë, na morën në telefon, na lajmëruan, nuk e prekën vajzën, por e nisën urgjent në spital, veprime që tregojnë se ato nuk kishin faj, përndryshe do të kishin frikë ta dërgonin për mjekim.

A keni kryer denoncim?

Po, e kam denoncuar ngjarjen në polici që ditën e premte. Dje vajza i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, ndërsa jemi në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga ana e tyre. Dyshoj që vajza ime është dhunuar, sepse shenjat në pjesë të shumta të trupit, deri te të pasmet, këmba e nxirë, të çjerra në kraharor, në shpinë, në fytyrë tregojnë që vajza nuk është aksidentuar, por dhunuar. Dyshoj shumë që kjo ka qenë tentativë për përdhunim. Unë do ta zgjidh këtë çështje, kjo është e sigurt. Fajtorët këtë herë nuk do të dalin të palarë. Me mish e me shpirt do ta çoj këtë çështje deri në fund, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një të mitur, por për një të mitur autike. Stafi i shkollës speciale duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka që i ka ndodhur vajzës time ditën e premte.

 

Hetimet, përplasje mes qendrës dhe shkollës për dhunimin e 17-vjeçares

Pretendimet e palëve dhe denoncimi në polici

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Autikja 17-vjeçare ka disa plagë të rënda, por ende nuk ka një përgjegjës për këtë ngjarje

Bledi Gilaj
Vali Qyrfyçi

Dhunimi i 17-vjeçares autike në Durrës ka sjellë një përplasje mes qendrës ku ajo strehohej dhe shkollës, ku ajo ndiqte studimet, pasi të dyja palët pretendojnë se ajo nuk është dhunuar në asnjërin institucion. Por, i vetmi vend, ku ajo ka qenë në momentet që nuk ishte në këto institucione, ka qenë furgoni, i cili e transportonte çdo ditë nga qendra në shkollë dhe anasjelltas. E vetmja mundësi për të sqaruar këtë ngërç, pavarësisht se asnjë nga institucionet nuk ka një reagim zyrtar, është policia, e cila ka nisur hetimet pas kallëzimit që ka bërë babai i vajzës autike dhe qendra, ku ajo strehohej deri në momentin e incidentit, ndërkohë që dyshohet se ky nuk është rasti i parë që ka ndodhur me personat me prapambetje të lehtë mendore.
Qendra
Pas denoncimit të babait të vajzës 17-vjeçare, gazeta “Shqip” u interesua në të gjitha institucionet e mundshme për të marrë informacion mbi këtë rast, ku sipas të dhënave, deri tani nuk ka mbajtur përgjegjësi asnjë person për dhunimin çnjerëzor të vajzës me aftësi të kufizuara. Burimet nga qendra e zhvillimit rezidencial për persona me prapambetje të lehtë mendore në Durrës bënë të ditur se vajza ka dalë nga ky institucion rreth orës 08:10 të së premtes, e cila është vënë në furgon për në shkollën për fëmijë të tillë. Specialistë të qendrës janë shprehur se ata nuk kanë pasur asnjë informacion deri rreth orës 10, kur një mësues, me emrin Niko, ka dërguar vajzën, e cila kishte plagë të dukshme. Sipas burimeve të qendrës, vajza autike kishte disa plagë në fyt dhe në kurriz, ndërkohë që në kokë mbante një kapuç, që i mbulonte një tjetër lëndim. Madje, ajo kishte të ndërruara edhe rrobat, nga ato që kishte veshur kur kishte dalë nga qendra. Në këto kushte, sipas qendrës, mësuesi mësohet se është shprehur se ajo ishte rrëzuar nga shkallët në shkollë, kështu që specialistët nuk kanë pranuar ta marrin në dorëzim. “Mësuesi ka deklaruar gjithashtu se e kishte dërguar në spital, ku i kishin bërë një tetanoz”, shprehen burimet nga qendra. Madje, burimet nga qendra shprehen se kanë njoftuar policinë për këtë rast dhe më pas e kanë nisur për në spital. Nga ana tjetër, mësuesi është larguar menjëherë nga qendra, duke e lënë autiken në dorën e punonjësve. Kur kanë shkuar në spital, mjeku u ka thënë punonjësve të qendrës se e kishte vizituar edhe më parë vajzën, pasi mësuesi i kishte thënë se ajo ishte rrëzuar nga karrigia, duke sjellë dyshime se ai nuk ka thënë të vërtetën.
Shkolla
Por, një variant komplet i kundërt është dhënë nga burimet pranë shkollës, të cilat pretendojnë se vajza është dhunuar në qendër dhe në shkollë ka shkuar me plagë. Sipas pretendimeve të drejtorisë së shkollës vajza është dërguar në shkollë me furgonin e rreth orës 08:40 të së premtes, kur mësuesi që po u jepte mësim ka vënë re se vajza kishte një fasho në kokë, të cilën e mbulonte me kapuç. Kur është interesuar më shumë për këtë plagë, mësohet se mësuesi ka vënë re se rridhte gjak, kështu që menjëherë, ajo është dërguar në spital dhe më pas është dorëzuar në qendër. Sipas shkollës, ku vajza autike mësonte gjithçka mendohet se ka ndodhur në ambientet e qendrës, ku pretendimet janë se ajo është rrëzuar.
Policia
Megjithatë për këtë situatë të krijuar, është kërkuar ndihma e policisë, ku mësohet se kanë bërë denoncim qendra, ku strehohej 17-vjeçarja dhe babai i saj. Në këto kushte, policia ka nisur hetimet, duke pretenduar fillimisht se kishte të bënte me një ngjarje aksidentale. Por, babai i saj ka këmbëngulur që të bëhet ekspertiza mjekoligjore, duke ngritur dyshimet se ajo mund të jetë përdhunuar. Gjithashtu, policia ka mbledhur informacione operative se kjo nuk është hera e parë që ka pasur incidente me fëmijët autikë, kështu që do të priten rezultatet zyrtare të ekspertizës mjekoligjore, me qëllim për të kryer dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Pretendimet e institucioneve

Qendra
Qendra e zhvillimit rezidencial për persona me prapambetje të lehtë mendore ka pretenduar se dëmtimi i vajzës është pësuar në kohën kur ajo ishte shkollë

Shkolla
Shkolla e fëmijëve me prapambetje të lehtë mendore ka pretenduar se vajza autike është dërguar me plagë nga qendra dhe një mësues ka vënë re dhunimin e saj

Policia
Grupi hetimor e ka regjistruar ngjarjen si plagosje nga pakujdesia, por babai i autikes ka kërkuar ekspertizë mjekoligjore, pasi dyshonte për përdhunim

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.