Dule sulmon Aleancën Kuq e Zi: Dëmton imazhin e Shqipërisë, PS të mos bëjë koalicion me të

''Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos bërë koalicion me parti të cilat kanë probleme të rënda demokracinë dhe shtetin e së drejtës”. Kështu është shprehur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule në një prononcim për AS, lidhur me koalicionet e mundshme për zgjedhjet e qershorit. Në fjalën e tij, Dule i është referuar Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Aleancës Kuq e Zi, duke i bërë thirrje dhe partive të tjera që mos të mos bashkëpunojnë me forca të tilla.
“Është e njohur publikisht se PBDNJ nuk do të bashkëpunojë me forcat politike të cilat kanë probleme me vizionin europian dhe me demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Rrjedhimisht nuk ka hapësirë bashkëpunimi të PBDNJ me kategori të tilla forcash politike. Por kjo nuk do të jetë prioritet vetëm i PBDNJ, është një aspekt tejet negativ i jetës politike të vendit tonë, ku forca serioze politike, qeverisëse, siç janë PS e PD flirtojnë për bashkëpunime me forca të tilla politike të cilat cenojnë rëndë profilin europian të sistemit tonë politike dhe situatës politike”, thotë Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së.
Dule ka bërë të ditur se deri më tani, forca që ai drejton është duke diskutuar me të gjitha forcat politike, duke mos i mbyllur derën asnjë force politike. Ndërkaq, ai foli dhe për votën që do të japë në Parlament lidhur me ndarjen e mandateve.
“Votimi do të jetë gjithmonë konform ligjit dhe nuk duhet të karakterizohemi nga fryma e krijimit të dritareve në vendimmarrje legjislative, nga të cilat do të mund të përfitojë PBDNJ, ose ndonjë parti tjetër. Duhet të shihet ajo çka është e drejtë, ajo çka është ligjore”, vijon Dule.
I pyetur lidhur me një bashkëpunim të mundshëm me partinë MEGA, e cila gjithashtu mbron të drejtat e minoritetit, Vangjel Dule ka deklaruar se PBDNJ nuk i ka mbyllur derën asnjë force politike dhe aq më shumë një partie e cila ka në themel të njëjtin program.
TEMA
Add new comment