Drejtori i Zbulimit Kombëtar të SHBA-së, paralajmërim për zgjedhjet

Postuar në 14 Mars, 2013 04:31

Institucioni - Agjencia e Zbulimit Kombëtar është institucioni që koordinon të gjitha agjencitë amerikane të inteligjencës

Kongresi - Marrja e një raporti për Kongresin pritet që të sjellë një rezolutë apo një dokument legjislativ

Qeveria - Me miratimin e një dokumenti nga Kongresi, administrata “Obama” është e detyruar ta zbatojë

Uashington - James Clapper i paraqet Kongresit një raport të hollësishëm për Ballkanin, ku përmendet dhe Shqipëria

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës parashikon zgjedhje problematike më 23 qershor. Alarmi nuk ka ardhur nga një institucion dosido, por nga Agjencia e Zbulimit Kombëtar e SHBA-së, e cila ka paraqitur në Kongresin Amerikan një dokument ku flet për një rikthim të tensionit gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit, që mund të sjellë një impas politik në vend. Por përveç zgjedhjeve, kjo agjenci bën të ditur se korrupsioni dhe akaparimi i institucioneve nga mazhoranca përbëjnë pikërisht shkakun që mund të sjellin dështimin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Raporti

Edicioni shqip i Zërit të Amerikës njofton se ndasitë e brendshme politike dhe ato etnike do të përbëjnë rrezikun më të madh për Ballkanin Perëndimor për vitin 2013. Ky është vlerësimi i agjencive amerikane të zbulimit, sipas raportit të përvitshëm që ato i paraqesin Kongresit. Raporti u paraqit nga Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, në një seancë në Komisionin e Përzgjedhur të Senatit për Çështjet e Zbulimit.

Sipas vlerësimit të agjencive të zbulimit, shtetet e dobëta të këtij rajoni vuajnë nga ngecja ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni dhe një shtet i dobët ligjor. Megjithëse gjendja e sigurisë në Veri të Kosovës, banuar nga shumica serbe, është përmirësuar që nga viti 2011, angazhimi diplomatik dhe ai në fushën e sigurisë i Perëndimit, është i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Raporti thekson se me shtimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ekziston edhe rreziku i shtimit të dhunës nga grupet ekstremiste serbe në Veri të Kosovës. Qeveria relativisht e re e Serbisë ndeshet me pengesa të shumta në rrugën e saj drejt përmbushjes së detyrimeve për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimit Europian, mes të cilave është edhe gjetja e një zgjidhjeje mes pretendimit kushtetues mbi Kosovën dhe faktit që Kosova është e pavarur.

Mbikëqyrja e pavarësisë përfundoi, thekson raporti, dhe qeveria e Kosovës do të synojë t’i zgjerojë instrumentet e sovranitetit mbi gjithë territorin e saj. Në Shqipëri, sipas raportit, institucionet qeverisëse vuajnë nga korrupsioni dhe ndikimi i tepruar politik mbi to. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here Parlamentin për gati dy vjet. Në Maqedoni, raporti nuk parashikon një kthim në luftën civile të një dekade më parë, por parashikon thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve shqiptare dhe maqedonase. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit dëshmoi para dy ditësh në Kongres së bashku me drejtorin e ri të CIA-s, John Brennan, dhe me drejtorin e FBI-së, Robert Mueller.

Reeker

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, në një intervistë për emisionin “Top Story”, deklaroi se zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri kanë rëndësi të madhe edhe për vitet që do të vijnë, sepse janë një provë shumë e rëndësishme për demokracinë në vend. Ai theksoi se SHBA-ja do të angazhohet që të japë kontributin e saj edhe financiar për mbështetjen e kapaciteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe monitorimit të tyre me një vlerë prej 1 milion dollarësh. “Ne kemi shqetësime për këto zgjedhje, pasi ato janë shumë të rëndësishme për Brukselin dhe Uashingtonin, ato janë shumë të rëndësishme edhe për vitet që do të vijnë për Shqipërinë. Presim nga të gjithë të kontribuojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, po punojmë me KQZ-në dhe për vëzhgimin dhe do të kontribuojmë me 1 milion dollarë në ndërtimin e këtyre kapaciteteve.

BE  - Bashkimi Europian pritet të sjellë në Tiranë një mision të gjerë vëzhgimi që do të shpërndahet në të gjithë KZAZ-të e Republikës

Zbulimi - Depozitimi i një raporti në Kongres nga Agjencia e Zbulimit i jep një ngjyrë dramatike analizës së politikëbërësve të SHBA-së

Shqipëria - Agjencia e Zbulimit bën të ditur se korrupsioni dhe përqendrimi i pushteteve mund të ndikojnë në polarizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit

Reeker - Zyrtari i Lartë i DASH, Philip Reeker bëri të ditur gjatë vizitës në Tiranë se zgjedhjet janë thelbi i provës së qeverisë

Misioni - Qeveria e SHBA pritet të financojë një projekt prej 1 milion dollarësh për vëzhgimin e zgjedhjeve, që do të detajohet nga misioni

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.