DOKUMENT I ZHVLERËSUAR

Draft-marrëveshja për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë për palën kosovare nuk ekziston si dokument. Sipas tyre, ai kurrë nuk u është ofruar në tavolinë nga ndërmjetësuesi. Burime të Express thonë se ky dokument, i hartuar nga zyrtarë europianë, ka qarkulluar muaj më parë në disa shtete anëtare të Unionit. Por, ai është zhvlerësuar me fillimin e takimeve në Bruksel.
Dokumenti dhjetëpikësh, të cilën e kanë prezantuar mediet e Beogradit si draft-marrëveshjen e BE’së me Kosovën për krijimin e Rajonit Europian të Veriut në vend të Asociacionit të komunave, është dokument i tejkaluar.
Burime të Express bëjnë të ditur se drafti, i cili është hartuar kohë më parë nga disa zyrtarë europianë, ka qarkulluar në disa shtete të ndryshme të BE’së.
Por si propozim për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë është paraqitur shumë kohë para se të fillojë dialogu politik për normalizimin e raporteve mes dy shteteve në Bruksel.
“Dokumenti i ofruar nuk është aktual sepse dialogu ka evoluar dhe kjo vërtetohet lehtë edhe nëse shikohen ato dhjetë pikat e kësaj draft marrëveshje. Për disa pika palët tashmë janë marrë vesh si për shembull krijimi i zyrave ndërlidhëse. Pra ka qenë një propozim, por që nuk u është ofruar palëve asnjëherë në tavolinë”, ka thënë një zyrtar i lartë i përfshirë në procesin e dialogut për Express të dielën.
I njëjti ka shpjeguar se dokumenti i paraqitur i aktualizuar nga mediet serbe nuk paraqet kurrfarë problemi në thelb për palën kosovare.
“Aty për shembull përmendet termi Rajon europian i Veriut e term të tillë mundesh me përdor edhe për ta zëmë Rajoni Europian i Llapit, pra thelbi është asociacioni i komunave serbe, ndërsa dokumenti është i tejkaluar”, ka thënë burimi i gazetës.
Dokumentin ndërkaq nuk kanë dashur ta komentojnë në Zyrën Baroneshës Ashton, që po e lehtëson tërë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e Shefes për Politikë të Jashtme të BE’së, Catherine Ashton, i ka dhënë Express të dielën arsyen për këtë.
Pavarësisht se as nuk ka mohuar e as pohuar se një zgjidhje çfarë parashihet në atë draft, është ofruar për palët në dialog.
“Unë nuk mund të komentoj raportet e shtypit dhe nuk mund të konfirmoj vërtetësinë e dokumenteve që janë publikuar në medie”, ishte përgjigja e vetme e Kocijancic për Express.
Një tjetër përgjigje ndërkaq kanë dhënë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Bekim Çollaku, Këshilltar i Lartë Politik i Kryeministrit Hashim Thaçi, tha se draft-marrëveshja 10 pikëshe e publikuar nga mediet serbe është dokument jo-valid.
Ai madje tha se dokumenti asnjëherë nuk u është ofruar palëve në tavolinën e bisedimeve.
“Dokumenti i draft-marrëveshjes 10 pikëshe, i publikuar në disa medie të Serbisë, nuk është dokument zyrtar i BE’së. Për më tepër, ai draft-dokument nuk u është ofruar palëve në takimet e përbashkëta të ndërmjetësuara nga Baronesha Ashton në kudër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Çollaku për Gazetën Express, të dielën.
“Si rrjedhojë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e komenton atë draft-dokument jozyrtar dhe e konsideron si draft-dokument jo valid”, ka shtuar ai.
Ndërsa, për Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, një dokument i tillë as që ekziston.
“Nuk është dorëzuar asnjëherë as në Prishtinë. Nuk është dorëzuar asnjëherë as në Beograd. Kështu që ai dokument duhet të shihet si një dokument i pavlerë dhe jo si qëndrim zyrtar i Baroneshës Ashton, i Bashkimit Europian, karshi dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë Hoxhaj.
Ndryshe në draftin të cilin e ka publikuar gazeta “Blic” e Beogradit të dielën, thuhet se BE
propozon që në Veri të Kosovës serbëve t’u lejohet formimi i Rajonit Europian - Veriu i Kosovës, në vend të Asociacionit të komunave që kërkon Beogradi.
Ky rajon do të kishte një pjesë të përgjegjësive, madje edhe një Gjykatë të Apelit, por i tërë rajoni do të inkorporohet plotësisht në institucionet e Kosovës.
“BE dhe Prishtina do të kërkojnë nga Serbia të mos pengojë pranimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke lënë mundësi për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që do të zëvendësojë atë 1244”, thotë ndër të tjerash “Blic”.
Zyrtarisht e vetmja zgjidhje për Veriun Kosovës është përmendur të jetë krijimi i Asociacionit të komunave serbe. Për çka verbalisht janë pajtuar dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, në takimin fundit në Bruksel.
Ndërkohë që po punohet që në takimin e radhës më 20 mars në Bruksel, palët të arrijnë edhe nënshkrimin e marrëveshjes për këtë.
Për t’i përafruar palët rreth kësaj, Baronesha Ashton mori mundin që të takojë liderët në Prishtinë e Beograd javën e kaluar.
EXPRESS
Add new comment