Didi: Ndërhyrja në Lazarat kërkon vullnet politik, s’mund të zgjidhet vetëm nga policia

Postuar në 28 Tetor, 2013 16:17

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka deklaruar sot se ndërhyrja në Lazarat, kërkon vullnet politik. Gjatë një inspektimi në pikën kufitare të Kakavijës, Didi përjashtoi mundësinë e një ndërhyrjeje të afërt në Lazarat, duke theksuar nevojën e shqyrtimit të situatës dhe sigurimin e ndihmës së nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë, dhe bashkëpunimit mes institucioneve, në mënyrë që misioni kundër kultivimit të drogës në këtë zonë të rezultojë i suksesshëm.

“Lazarati është një problem tepër kritik dhe nuk mund të mbyllim sytë, kjo problematikë njihet dhe nga vende të tjera. Ky është një problem kompleks. Do të kërkojmë ndihmën e mediave, forcave politike të gjithë instrumenteve socialë që kur të shkojmë të tentojmë të hyjmë në Lazarat të hyjmë tamam. Me te gjithë ato mekanizma që shteti ka, qoftë të agjencive ligjzbatuese por dhe agjencive të tjera që janë të interesuar që Lazarati të mos ngelet një njollë e zezë për të gjithë shqiptarët dhe Lazarati ta shikojë mirëqenien e tij me punë të ndershme. Ne nuk mund të bëjmë strucin para një fenomeni të tillë”, theksoi Didi.

Kreu i policisë foli edhe për lëvizjet në institucionin që ai drejton, duke theksuar se policia do të spastrohet nga të gjithë njerëzit e korruptuar. “Do të rishqyrtohen efektivët që janë në detyrë. Ata që punuan me ndershmëri, do jenë pasuria e policisë”,- theksoi ai.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.