DIALOGU S’NDALET

Heqja e Lapidarit të UÇPMB’së i ka nervozuar shqiptarët. Në Preshevë protestuan mbi 10 mijë njerëz, derisa në Kosovë u përdor edhe dhuna ndaj monumenteve dhe varrezave serbe. Por, pavarësisht indinjatës së qytetarëve, dialogu Prishtinë-Beograd pritet të vazhdojë normalisht.
Bashkimi Europian dhe autoritetet e Serbisë nuk presin që heqja e lapidarit në Preshevë të ndikojë në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në këtë mënyrë zyrtarët në Bruksel dhe Beograd u janë përgjigjur reagimeve të Qeverisë së Kosovës, e cila në deklaratën e saj ndër të tjera theksoi se veprimet e autoriteteve serbe në Luginë rrezikojnë procesin e bisedimeve.
“Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Por Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, të hënën ka deklaruar se bisedimet nuk varen as nga Kosova, as nga Serbia.
I pyetur nëse situata në Luginën e Preshevës mund të ndikojë në bisedimet e Brukselit duke pasur parasysh reagimet Prishtinës, Dacic ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhte nëse dialogu do të varej nga Beogradi dhe Prishtina.
"Jam i sigurt se nuk pyeten as Prishtina dhe Beogradi“, ka thënë Dacic.
Gjatë komunikimit me gazetarët Dacic ka hedhur poshtë mundësinë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.
"Kosova dhe jugu i Serbisë nuk janë bërë bashkë kurrë pikërisht për shkak të vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare“, ka thënë Dacic.
Sipas tij, ngjarjet në pjesën jugore të Serbisë nuk duhet të përzihen me bisedimet që janë duke u zhvilluar në Bruksel dhe se kjo çështje asnjëherë nuk ka qenë temë e bisedimeve.
Ai më pas ka folur edhe për një opsion për të cilin ishte angazhuar më herët, duke thënë se Serbia nuk është dashur të bisedojë me Kosovën fare, por me Shqipërinë për ta arritur marrëveshjen historike.
"Çfarë lidhje ka kjo me Preshevën. Përveç të tjerash në Preshevë po shihen flamuj shqiptarë e jo flamuj të Kosovës, dhe pse të flitet për eskalimin e dhunës kur ky nuk ka qenë aspak një lapidar kulturor e historik“, ka thënë Dacic.
"A është kjo Shqipëri dhe çfarë lidhje ka kjo me Kosovën? Kjo është një dëshmi se Kosova është një përpjekje për krijimin e një shteti të rrejshëm dhe se krejt kjo është një Shqipëri. Për këtë arsye kam thënë se duhet negociuar me Shqipërinë, por nuk më ka dëgjuar askush“, ka thënë ai.
Ndërprerje të bisedimeve nuk pret as Zëvendëskryeministri i Parë serb, Aleksandar Vucic.
Vucic ka thënë se kërkesat që pjesa jugore e Serbisë t’i bashkohet Kosovës nuk është kërkesë e re, por ka thënë se „disa“ në bashkësinë ndërkombëtare dhe në Beograd kanë simpati ndaj kërkesave të tilla.
Vucic ka thënë se është i bindur se dialogu nuk do të ndërpritet, duke theksuar se bisedimet duhet të vazhdojnë dhe se deklaratat nga Prishtina janë të natyrës politike parazgjedhore.
Bashkimi Europian po ashtu nuk pret ndërprerjen e procesit negociator që po udhëhiqet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të, Jashtme Catherine Ashton.
Zëdhënësja Maja Kocijancic ka thënë se situata në Preshevë duhet të zgjidhet me dialog, duke potencuar se kjo çështje nuk duhet të ndikojë në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ajo ka thënë se dialogu është në interesin e të dyja palëve.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Dacic, kanë realizuar raundin e katërt të bisedimeve në Bruksel vetëm tri ditë para heqjes së lapidarit në Preshevë.
Dy palët kishin arritur një marrëveshje për doganën derisa janë dakorduar që bisedimet për pjesën veriore të vazhdojnë gjatë muajit shkurt.
EXPRESS
Add new comment