Dhuna ndaj trajnerit të Tiranës, shoqërohet Elvis Roshi, protestë në Kavajë

Policia e Kavajës ka shoqëruar mbrëmjen e sotme kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, ndërsa jashtë komisariatit ka patur protesta nga mbështetësit e Roshit. Policia ndërhyri me shkopinj gome për shpërndarjen e protestuesve. Raportohet për disa të shoqëruar mes protestuesve.
Masa e marrë ndaj Roshit erdhi pas kallëzimit të bërë në komisariatin e Kavajës nga trajneri i ekipit të Tiranës, Nevil Dede se Roshi kishte kërcënuar lojtarët e kësaj skuadre dhe kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Ngjarja e rëndë u shënua gjatë ndeshjes së kategorisë superiore mes Besës dhe Tiranës ditën e sotme.
Kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ka goditur me grushte trajnerin e ekipit të Tiranës, Nevil Dede.
Incidenti ka ndodhur në dhomat e zhveshjes të ekipit të Tiranës, ku Roshi ka hyrë me forcë pas përfundimit të pjesë së parë të ndeshjes.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, kryebashkiaku i Kavajës ka ushtruar presion ndaj lojtarëve të Tiranës, pas përfundimit të pjesës së parë.
Menjëherë pas ngjarjes trajneri i Tiranës, Nevil Dede ka bërë denoncim në komisariatin e Kavajës ndaj kryetarit të bashkisë së qytetit, i cili nga ana e tij hodhi poshtë zërat se ishte larguar nga qyteti dhe është paraqitur vetë në komisariat për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë, një grup qytetarësh janë mbledhur jashtë ambienteve të komisariatit dhe kërkojnë lirimin e kryebashkiakut Roshi.
Roshi mohon akuzat: Nuk kam qëlluar njëri, Nevil Dede provokoi tifozët e Besës
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi nga ana e tij ka hedhur poshtë pretendimet e trajnerit të Tiranës, Nevil Dede. Sipas Roshit akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe se nuk e ka goditur trajnerin e Tiranës, por thjesht i ka kërkuar sqarim për provokimin që ky i fundit i bënte tifozëve të Besës në kohën që kjo e fundit ishte në avantazh 1:0.
Nevil Dede: Kryetari i bashkisë ushtroi dhunë ndaj meje dhe u bëri presion futbollistëve të Tiranës
Ndërkohë, sipas kallëzimit të trajnerit të Tiranës, kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi në përfundim të pjesës së parë të ndeshjesh ka hyrë në dhomat e zhveshjes së ekipit të Tiranës dhe u ka bërë presion futbollistëve kryeqytetas. “Ju nuk do ta fitoni ndeshjen, se nuk dilni të gjallë nga fusha”,- mësohet të jetë shprehur Roshi.
Avokati i Roshit: Policia po shkel ligjin, nuk jam lejuar të kontaktoj me klientin tim
Plarent Ndreca, avokati i kreut të bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ka reaguar pas arrestimit të tij, duke akuzuar policinë për shkelje të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Ai ka bërë të ditur se nuk është lejuar nga policia që të kontaktojë me klientin e tij, çka përbën një shkelje ligjore nga ana e policisë së shtetit.
Ndreca ka kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit në mënyrë që të dërgohet një komisioner për të hetuar çështjen dhe ka kërkuar lirimin e Roshit.
SHQIP
Add new comment