Deputetët e rinj, Sollaku e Marin Mema në skuadrën e Ramës , Ristani në listën e PD-së

Fernada Cenko
Tiranë Prokurorë, gazetarë dhe biznesmenë i janë shtuar radhëve të PS në këtë prag fushate, duke gjetur vend në listat e kandidatëve për deputetë.Kryesocialisti Edi Rama ka prezantuar publikisht vetëm dy prej tyre gjatë fundjavës: Alfred Pezën si kandidat në Peqin dhe biznesmenin Parid Cara, në Kavajë. Emra të tjerë të njohur për publikun kanë marrë tashmë konfirmimin e Ramës dhe pritet të prezantohen në ditët e ardhshme si pjesë e ekipit të “Rilindjes Shqiptare”. Burime të MAPO-s bëjnë me dije se përveç Pezës, një tjetër gazetar do të kandidojë për PS-në në zgjedhjet e 23 qershorit, duke lënë profesionin e tij. Marin Mema, gazetar i Top Channel, është konfirmuar tashmë si kandidat në pjesën e sigurt të listës së PS. Megjithatë, ende nuk është vendosur nëse gazetari do të kandidojë në Tiranë apo në Vlorë nën siglën e PS. Gazetari i rubrikës “Shqipëria Tjetër” i bashkohet Partisë Socialiste pas Alfred Pezës. Kohët e fundit Mema është parë të hyjë shpesh në selinë e PS-së.
Prokurorët në listë
Një tjetër kandidat i sigurt për deputet është edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili i është bashkuar Partisë Socialiste kohë më parë. Burime pranë PS-së i thanë MAPO-s se Sollaku është një tjetër kandidat i sigurt për deputet, emri i të cilit mund të jetë në listat e Fierit apo të Vlorës. I pyetur nga MAPO, një burim pranë PS-së tha se me shumë gjasë, ish-shefi i akuzës do të kandidohet në vendlindjen e tij, në Fier. Theodhori Sollaku u shkarkua më 23 qershor të vitit 2007 me dekret të ish-presidentit Bamir Topi, dekret ky i refuzuar nga paraardhësi Alfred Moisiu. I akuzuar nga kryeministri Berisha se “flinte mbi dosjet e korrupsionit”, pas lënies së detyrës Sollaku iu bashkua Partisë Socialiste. Të njëjtën zgjedhje ka bërë edhe ish-prokurori Ulsi Manja, një tjetër emër nga drejtësia në listat e kandidatëve për deputetë të PS. Ky i fundit ka kandiduar në zgjedhjet e 2009 në Dibër, ndërsa pritet të prezantohet po në këtë qark nga kryetari Rama, së bashku me ish-guvernatorin Shkëlqim Cani. Bashkë me Sollakun, Ulsi Manja dhe Vexhi Muçmata janë prurjet e reja në PS mes radhëve të drejtësisë, të cilët i bashkohen rrugëtimit politik të Ermonela Felajt e Armando Subashit.
Lëvizjet brenda radhëve
E ndërsa Partia Socialiste po shkon drejt hapjes zyrtare të fushatës në fund të kësaj jave, tensionet për listat e kandidatëve kanë filluar prej kohësh. Prurjet e reja, të cilat projektohen fill për karriget në Kuvend kanë zvogëluar hapësirat për deputetët aktualë të PS. Në pritje të rikonfirmimit shumë prej tyre kërkojnë që lista e kandidatëve për deputetë të votohet nga anëtarësia, thirrje të cilat nuk janë marrë parasysh deri më tash nga lidershipi. Ndërkohë, një vatër e re tensioni është hapur në PS-në e Kukësit, pas refuzimit të PS për të rikandiduar Asllan Dogjanin. Ky i fundit së bashku me Skënder Hasën janë dy deputetët aktualë, të cilët nuk kanë më asnjë shpresë për të qenë pjesë e parlamentit pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Emrat e rinj në listën e PS-së
Marin Mema, gazetar i Top Channel, kandidat në qarkun Vlorë ose Tiranë
Theodhori Sollaku, ish-prokuror i përgjithshëm, kandidat në Fier ose Vlorë
Ulsi Manja- pedagog, ish-prokuror, kandidat në qarkun Dibër
Blerina Gjylameti- pedagoge, kryetarja e gruas në PS për Tiranën
Alfred Peza- Gazetar, kandidat në Peqin
Ylli Zeçishti- mjek, kandidat në qarkun e Korçës, zona Devoll
Parid Cara- Biznesmen, kandidat në qarkun Tiranë, zona Kavajë
Vexhi Muçmata- Prokuror, kandidat në qarkun e Kukësit
Shkëlqim Cani- ish-guvernator, kandidat në qarkun Dibër
Keti Bazhdari- anëtare e Asamblesë, kandidatë në qarkun Shkodër
MAPO
Add new comment