Dekretimi i Llallës, PD: Tani Rama ka zëdhënës edhe Bamir Topin

Partia Demokratike reagoi me anë të deputetit Gerti Bogdani pas deklaratave të PS se dekreti për kryeprokurorin është antikushtetues.
Deputeti Bogdani tha se Rama foli njësoj si Topi. Ai theksoi se tani kryetari i PS e ka zëdhënës kreun e FRD.
“Qytetarët shqiptarë patën mundësi të konstatojnë se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk flet me ta vetëm nga oborri apo podiumet e selisë rozë, por edhe se ai e ka shtuar numrin e zëdhënësve.
Deputeti socialist, Taulant Balla, nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti fjalë për fjalë atë që një ditë më parë kishte deklaruar Bamir Topi, lidhur me qëndrimin e Partisë Socialiste për dekretin e Presidentit të Republikës për Prokurorin e Përgjithshëm.
Njësoj si Topi dje, edhe Balla sot, tha se për ta problemi ishte procedura antikushtetuese e emërimit dhe jo cilësitë e kandidatit, që do të zëvendësojë Ina Ramën në krye të institucionit të akuzës.
Natyrisht që ne as nuk impresionohemi dhe as nuk na takon që të komentojmë qëndrimet e Partisë Socialiste, e cila ka sovranitetin e saj për cdo vendim politik, që ndërmerr.
E vetmja gjë që vlen për të evidentuar pas kësaj është se, me sa duket, tani Edi Rama nuk ka në dispozicion vetëm deputetët dhe drejtuesit e partisë së tij për të shprehur pozicionin e vet politik, sepse sot për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm ai përdori dy zëdhënësa, Bamir Topin dhe Taulant Ballën, të cilët thanë absolutisht të njëjtën gjë, në vetëm një ditë diferencë,” tha Bogdani.
Tema online
Add new comment