Dade: Shërbimi diplomatik, nevojë për reformë të thellë

Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, Arta Dade, shprehet se Shërbimi Diplomatik ka nevojë për reformë urgjente, e cila duhet bërë në bashkëpunim edhe me opozitën.
“Ne e ngritur vazhdimisht shqetësimin për politizimin dhe partizimin e trupit diplomatik. Është pikërisht diplomacia ajo që do të zbatojë drejtimet kryesore të politikës së jashtme. Ju e dini që, në kohën pasi Sali Berisha mori pushtetin, nxori një vendim të KM, i cili e lejonte ministrin që të rekrutonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme, gjoja për nevoja të ministrisë, diplomatë që nuk vinin nga shërbimi diplomatik dhe ky akt është i paprecedentë, sepse një Vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund të sundojë mbi ligjin. Dhe mbi bazën e kësaj VKM-je është bërë kasaphanë në Trupin diplomatik. Unë besoj se do një reformë shumë të thellë. Më lejoni t’ju kujtoj që unë kam bërë edhe një interpelancë me ministrin e asaj kohe, pikërisht për çështjet e diplomacisë.
Rezulton që 70% e emërimeve në diplomaci janë bërë mbi bazën e VKM dhe nuk është respektuar ligji ekzistues për Shërbimin e Jashtëm, që mbron diplomatët e karrierës, mbron edhe ata punonjës që janë në Ministrinë e Jashtme, dhe i mbron statusi i punonjësit të shërbimit civil. Duke u shkelur me të dyja këmbët të dyja ligjet, ne nuk mund të vazhdojmë të jetë diplomacia në këtë gjendje dhe padyshim duhen bërë axhustimet përkatëse.
Do të isha dakord që këto të bëhen mbi bazën e një studimi gjithëpërfshirës, sepse në Ministrinë e Jashtme janë krijuar drejtori pa asnjë argumentim dhe mbi bazën e ligjit. Kemi një strukturë shumë të fryrë, pa asnjë studim; janë hapur prezenca të shtetit shqiptar në vend, që nuk kemi shkëmbim kulturor apo tregtar të qenësishëm. Jam e bindur që duhet një studim, në të cilin shpresoj të përfshihet edhe Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme, në mënyrë që të përfshihen edhe përfaqësuesit e opozitës, siç është rasti i zotit Bumçi, i cili 4 muajt e fundit ka qenë ministër i Jashtëm dhe sigurisht ai me sa kam dëgjuar nuk është kundër që të bëhet një reformë e thellë në Shërbimin Diplomatik dhe të rishikohen të gjithë hapat që janë hedhur në këta 8 vjet, lidhur edhe me një përdorim racional të burimeve financiare, të cilat janë të limituara. Besoj që edhe në këtë këndvështrim duhet parë puna e diplomacisë dhe duhet konsoliduar prezenca, në ato vende që përbëjnë përparësi në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, në ato qeveri ku ne kemi sfidat për të përmbushur, siç është Brukseli, pra misioni jonë pranë BE-së, dhe sigurisht në ato kryeqytete ku ne kemi marrëdhënie, dhe për një periudhë të caktuar afatmesme, afatgjatë, do të vazhdojmë t’i kemi partnerët tanë strategjikë. Ne sigurisht do jemi të gatshëm që të mbështesim një reformë të qenësishme, për ta bërë diplomacinë realisht në shërbim të vendit dhe të kombit, për të inkurajuar karrierën diplomatike”, thotë Dade në një intervistë për GSH.
Dita
Add new comment