Dëmet nga zjarret, gjuetarët apel për mbrojtjen e pyjeve

Në mbrojtje nga zjarret e pyjeve kanë reaguar edhe komuniteti i gjahtarëve të Shqipërisë. Drejtuesi i federatës së Gjuetarëve dhe Peshkatarëve, Bujar Hyka vlerëson se me fillimin e sezonit të shkurtëzës dhe turtullit dhe pakësimin e llojeve nga zjarret, përgjegjësia e gjuetarëve është më e lartë sivjet. "Ky sezon filloi me një hap shumë të madh dhe të rëndësishëm me testimin e gjuetarëve, që ishte një hap i mrekullueshëm i qeverisë shqiptare dhe çdo qytetar është testuar për njohuri që ai ka", thotë Bujar Hyka, president i federatës së gjuetisë dhe peshkimit sportiv. Nga ana tjetër ministria e Bujqësisë, dhe drejtoria e shërbimit pyjor prej një muaji po realizon nëpërmjet specialistëve të saj testimin dhe certifikimin e gjuetarëve sportivë. "Ndryshe nga vitet e tjera doli dhe ligji për këtë punë, që duhet të bëhet testimi i gjuetarëve dhe ky është një domosdoshmëri në radhë të parë për jetën e tyre. Duke pasur parasysh vitin e kaluar dhe duke parë evidencat që kemi numri i qytetarëve të cilët janë të aksidentuar dhe që u kanë marr jetën, janë 28", shprehet Nurie Visha, eksperte e drejtorisë së shërbimit pyjor. Sezoni i gjuetisë zgjat deri në marsin e vitit 2013 dhe deri tani janë testuar 472 gjuetarë sportivë, të vjetër dhe të rinj. Mund të jesh i vjetër në moshë por i ri në këtë sport, ku ka rregulla strikte të armëmbajtjes, dhe gjuajtjes së shpendëve apo kafshëve të lejuara. Fenomeni i zjarreve në pyje dhe aksidentet e gjuetarëve gjatë këtij viti ku humbën jetën dhe u plagosën afro 30 persona sollën këtë masë të shpejtë parandaluese nga autoritetet e bujqësisë dhe mjedisit. Albanian Screen
Add new comment