Cifti kurth biznesmenit, gruaja e joshte, i burgosuri i mori 70 mln lekë

Postuar në 20 Shtator, 2014 07:22

Një çift bashkëshortësh janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi në formën e presionin, shantazhit dhe kërcënimeve, u kanë marrë 70 milione lekë të vjetra një biznesmeni në Tiranë. Niko Smaqi, i dënuar nga gjykata e Tiranës me 4 vite burg për akuzën e “vjedhjes me dhunë”, së bashku me gruan e tij Elinela Smaqi, ka drejtuar gjobëvënien që prej vitit 2010, duke i marrë në kohë dhe vende të ndryshme sasi të konsiderueshme parash biznesmenit, ku vetë herën e fundit i kanë marrë 17 milion lekë.

Ky i fundit fillimisht ka rënë në kurthin e një marëdhënie seksuale që ka pasur me shtetasen Elinela Smaqi, bashkëshorten e Niko Smaqit. Por, në këtë kohë ai është fotografuar nga i shoqi dhe është kapur prej tij nën shoqërinë e gruas së tij Elinela. Fotot janë përdorur që prej vitit 2010 për shantazh dhe presion me qëllim dhënien e shumave financiare. Burrë e grua, kërcënonin se nëse nuk dorëzoheshin lekët atëherë fotografitë do përfundonin në dorë të gruas dhe fëmijëve të biznesmenit.

Gjoba nga burgu
Mësohet se pagesa e parë është kryer fillimisht nga kallëzuesi në vitin 2010 dhe ka vijuar, me shuma të ndryshme, deri në vitin 2012. Në këtë kohë, shtetasi Niko Smaqi arrestohet dhe më tej dënohet nga gjykata e Tiranës për një vepër tjetër penale “vjedhje me dhunë” dhe dënohet me 4 vjet burgim. Në maj të vitit 2014, shtetasi Niko Smaqi merr leje nga burgu dhe kontakton sërish me kallëzuesin, duke i marrë sërish para, nën presionin se do t’i tregonte familjes së tij për raportet me Elinela Smaqin, ka arritur t’i marrë një shumë tjetër parash.

Në këtë kohë, kallëzuesi është paraqitur pranë Prokurorisë për Krime të Rënda dhe ka bërë kallëzimin. Gjatë kohës që po kryheshin hetime për këtë rast, shtetasi Niko Smaqi merr sërish leje nga burgu në shtator 2014 dhe vijon sërish kërcënimet ndaj kallëzuesit. Në këtë mënyrë, Prokuroria për Krime të Rënda krijoi bindje të arsyeshme se nga ana e dy shtetasve bashkëshortë, janë kryer elementët e veprës penale për të cilën akuzohen. Nga verifikimet e deritanishme, rezulton se bashkëshortët, me anën e kërcënimit, i kanë marrë në total rreth 7 milionë lekë të reja biznesmenit në Tiranë.

Arrestimi
Të bindur se çifti i bashkëshortëve ka qënë i implikuar në këtë seri gjobash financiare, grupi hetimor e ka vlerësuar situatën, duke vendosur arrestimin e Niko dhe Elinela Smaqit. Urdhëri i parë i arrestit i firmosur nga prokurori Anton Martini është ekzekutuar nga policia, e cila vuri nën arrest shtetasen Elinela Smaqin. Më pas oficerët e policisë, i janë drejtuar burgut të Vaqarit ku në ambientet e këtij burgu i është komunikuar masa e arrestit dhe shtetasit tjetër Niko Smaqi, duke e akuzuar për veprën penale të “Shtrëngimit me atë të kanosjes për dhënie pasurie”. Dy ditë më parë, gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në masën e arrestit në burg shtetasen Klodiana Driza dhe të dashurin e saj Ermal Mrruku, pasi këta nën kërcënimin e fotove, u vinin gjoba biznesmenëve të fundit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.