Byroja për Sigurinë Diplomatike në SHBA: Krimi është rritur në Shqipëri, problem rrugët e këqija dhe shëndetësia

Postuar në 15 Mars, 2013 06:02

 

Çfarë u rekomandon agjencia e përbashkët e sipërmarrjeve private dhe Departamentit të Shtetit, amerikanëve që vendosin të vizitojnë Shqipërinë

Nga Lindita Çela

 

Një vend ku sundon krimi i organizuar, ku vrasjet dhe plaçkitjet janë një normalitet, rrugët një katastrofë dhe shërbimi shëndetësor një mjerim. Kjo është Shqipëria sipas Byrosë së Sigurisë Diplomatike, një agjenci e krijuar në vitin 1985 si bashkëpunim mes Departamentit të shtetit dhe sektorit privat amerikan, për të ofruar informacion për sigurinë e vendeve jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu, çdo amerikan që merr përsipër të udhëtojë në një vend, konsultohet me raportet e rregullta të kësaj agjencie.

I fundmit daton dy ditë më parë dhe tregon qartë se amerikanët janë të shqetësuar për rritjen e kriminalitetit në Shqipëri.

Raporti pasqyron sektorët më jetikë të vendit, si: rendin, kriminaliteti, ekonominë, shëndetësinë dhe qarkullimin rrugor. Në të thuhet se, shteti shqiptar ka bërë përpjekje për të garantuar sigurinë dhe rendin, por sërish krimi i rrugës ka rritje të konsiderueshme dhe nata është e frikshme në Shqipëri. Në raportin e përvitshëm të Byrosë Diplomatike për Sigurinë thuhet se krimi i organizuar mbetet një problem serioz, ndërsa shqetësues për amerikanët mbetet vënia e eksplozivëve të telekomanduar nëpër automjete apo rezidenca private.

Një çështje tjetër shqetësuese është gjendja katostrofike e rrugëve në Shqipërinë, për të cilat kryeministri Berisha thotë se është suksesi i qeverisë së tij. Në raport thuhet se për ata që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri një problem serioz është siguria tepër e ulët e rrugëve, të cilat janë të amortizuara e me sinjalistikë të mangët.

Në raport nënvizohet dhe gjendja e mjerueshme e sistemit shëndetësor, ndërsa u këshillohet shtetasve amerikanë, që jetojnë në Shqipëri, të mënjanojnë lëvizjet në orët e vona të natës dhe frekuentimin e lokaleve, pasi konfliktet e lindura aty për aty, përfundojnë në përdorimin e armëve.

Kriminaliteti dhe siguria

Shqiptarët janë një popull që përgjithësisht mikpresin amerikanët e ata nuk janë nën shënjestër për shkak të kombësisë së tyre. Ndonëse vitet e fundit ka pasur përparime në garantimin e sigurisë, krimi i organizuar vazhdon të veprojë. Krimi i organizuar vazhdon të mbetet një problem serioz, por dhuna e krijuar prej tij rrallë prek komunitetin ndërkombëtar.

Ndërsa krimi i rrugës është mjaft i zakonshëm në zonat urbane, sidomos gjatë orëve të natës. Statistikat e kohëve të fundit tregojnë një rritje të krimeve të dhunshme, më së shumti me përdorimin e eksplozivëve, shumica e të cilave kanë ndodhur duke vendosur bomba në makina, të cilat kanë shpërthyer nga distanca ose eksplozivë të vendosura në banesat private. Përveç kësaj,  sipas rasteve të regjistruara është rritur aktiviteti kriminal, siç pasqyrohet me rritjen e vrasjeve dhe plaçkitjeve të armatosura, edhe pse incidente të tilla në përgjithësi nuk përfundojnë në dhunë.

Në veri të vendit ndodhin më së shumti krimet me armë zjarri.

Dhuna në familje është një problem i madh, pasi shumë vrasje dhe sulme vijnë si rezultat i drejtpërdrejtë i konfliktit të brendshëm.

Siguria rrugore

Aspektet më të rrezikshme të të jetuarit dhe të punuarit në Shqipëri janë rrugëtimi i pasigurt, i hasur rregullisht në të gjitha rrugët. Në mbarë vendin gjendja  rrugëve është e dobët . Veçanërisht rrugët janë të këqija në zonat rurale në muajt e dimrit dhe në një mot me shi. Përveç kësaj, mungesa e energjisë ndonjëherë shkakton errësirë, që ndikon në ndriçimin dhe sinjalistikën rrugore. Vjedhja e automjeteve është një ndër problemet të madha.

Dhuna politike, ekonomike, fetare dhe etnike

Ndjenja anti-amerikane është e rrallë në Shqipëri. Përveç shqetësimeve të brendshme politike, përfshirja në protesta është në vogël dhe në përgjigje të mungesës së energjisë elektrike,  respektimit të së drejtës së pronës dhe ankesa e tjera për gjendjen ekonomike. Pas viteve 1990, Shqipëria kishte dy periudha të dallueshme të trazirave civile: E para, në vitin 1997, ishte për shkak të rënies së skemave piramidale në mbarë vendin, gjë që shkaktoi një krizë të madhe financiare; e dyta, në vitin 1998, ishte për shkak të vrasjes së një udhëheqësi të partisë së opozitës. Më pas protestat sporadike janë të lidhura me zgjedhjet parlamentare të 2009, të cilat u kontestuan nga partitë e opozitës, por nga OSBE-ja u konsideruan se kanë përmbushur shumicën e standardeve të OSBE-së. Kjo shkaktoi  vështirësi të trafikut dhe shqetësim të përgjithshëm pranë ndërtesave qeveritare, në qendër të Tiranës.

Më 21 janar 2011, forcat qeveritare të sigurisë vranë katër protestues, gjatë një demonstrate të dhunshme të opozitës, dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën, duke përfshirë shumë policë. Më vonë, dy punonjës të lartë të gardës u akuzuar se kishin qëlluar. Protesta e zhvilluar në përvjetorin e vrasjeve kaloi pa asnjë incident.

Zgjedhjet lokale të majit 2011 u zhvilluan pa ndonjë incident.

Dhuna fetare apo etnike

Sipas regjistrimit të vitit 2011, rreth 57 përqind e popullsisë e identifikon veten si myslimane, por islami radikal ka pak përkrahës. Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë laikë, pavarësisht nga besimet e tyre fetare. Në vitet e fundit, disa organizatat joqeveritare (OJQ-të) islame kanë bërë përpjekje për të rritur popullaritetin e tyre, por pa arritur ndonjë sukses.

Shqetësimet specifike

Ka shumë pak zona që nuk rekomandohen për vizitorët amerikanë, kryesisht për shkak të reagimit të kufizuar të policisë dhe mbrojtjes.

Policia

Policia ka një prani të dukshme në të gjithë Tiranën dhe qytete të tjera. Në përgjithësi, qeveria ka përmirësuar zbatueshmërinë e ligjit dhe sigurinë e institucioneve. Për shkak të burimeve të kufizuara dhe fuqisë punëtore, shpesh herë reagimi i policisë  është vonuar. Policia ka tendencë për të reaguar më shpejt kur kontaktohet nga anëtarët e komunitetit ndërkombëtar. Një shqetësim, që lidhet me performancën e policisë, është rroga e ulët e tyre, çka është një potencial për përfshirje në korrupsion. Pavarësisht kësaj, ligji shqiptar po vazhdon të përmirësohet veçanërisht në fushat kundër-narkotikëve, krimit të organizuar dhe tregtisë ilegale të armëve.

Urgjencat mjekësore

Shëndetësia është një problem serioz, dhe kujdesi mjekësor, përtej ndihmës së parë, është i kufizuar. Individët që janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore duhet të konsultohen me mjekun e tyre para se të vendosin të udhëtojnë. Vizitorët janë të këshilluar për të marrë një furnizim të mjaftueshëm të ilaçeve që ju duhen.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.