Bushati, pro ndalimit të armëve kimike në Facebook

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është regjistruar në rrjetin social Facebook në faqen e 536 mijë personave që kundërshtojnë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në tokën shqiptare. Gjatë një vëzhgimi në faqen zyrtare të ministrit Ditmir Bushati, është vënë re se ky i fundit është pjesë e grupit të personave, që kundërshton në rrjetin social procesin e shkatërrimit të armëve kimike në vendin tonë. Ndërsa dy ditë më parë ai theksoi se Kryeministri Edi Rama është kontaktuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri dhe kanë zhvilluar një bisedë të gjatë për kontributin që do të japë Shqipëria në këtë proces të rëndësishëm. Madje, Bushati e quajti si krenari faktin që qeveria shqiptare është kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një proces kaq delikat dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm. “Për sa u përket kontakteve që aleatët kanë ndërmarrë me ne si qeveri e Republikës së Shqipërisë, është krenari që të paktën jemi pjesë e konsultave apo kontakteve për një kontribut të mundshëm, që nuk është ende as i vendosur, as i ravijëzuar dhe i konkretizuar kush do të bëjë çfarë”, tha Bushati.
REAGIMET
Për herë të parë në protestat e shoqërisë civile ka marrë pjesë një deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Demokratja Mesila Doda iu bashkua dje përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët protestuan dje para Kryeministrisë, për të kundërshtuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Doda tha dje se qeveria do të përballet me një rezistencë të jashtëzakonshme popullore, nëse do të marrë vendimin për të sjellë armët kimike në Shqipëri. “Shqipëria nuk ka as infrastrukturën teknike dhe as njerëzore të mundshme për të përballuar një operacion të tillë. Kryeministri duhet ta dijë se do të hasë në një rezistencë të jashtëzakonshme popullore, në qoftë se ndërmerr një hap të tillë. Të gjithë ne jemi pro Shqipërisë dhe pro shqiptarëve dhe këtu nuk ndahemi në çfarë krahu politik jemi. Duhet t’i themi pro jetës, të gjithë qytetarët, të gjithë deputet e Parlamentit të Shqipërisë duhet të na përkrahin në këtë aksion”, u shpreh deputetja e PD. Ndërkohë që deputetja e PDsë, Jorida Tabaku, në një reagim në rrjetin social Facebook është shprehur se ishte kundër lejimit të armëve kimike në Shqipëri: “Unë e dua vendin tim! Unë e dua vendin tim te bukur, tërheqës për turistët dhe investitorët e huaj, prandaj jam kundër demontimit të armëve kimike në Shqipëri”.
Panorama
Add new comment