Bruksel, përfundon takimi Jahjaga- Nikoliç

Kosova dhe Serbia kanë ngritur sot dialogun mes tyre në nivele më të larta, në atë presidencial.
Në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, rreth orës 18 e 30 ka përfunduar takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç.
Në prag të tij, Ashton ka takuar ndarazi Nikoliçin dhe më pas Jahjagën.
***
Respektivisht, pas dialogut teknik i cili ka nisur prej dy vitesh, pasuan takimet e kryeministrave të të dyja shteteve, për të ardhur tek mbrëmja e sotme në Bruksel, në një tavolinë presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliç.
Në Bruksel ka paralajmërime se takimi i parë, mes dy presidentëve, i cili do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do të ketë protokoll të zakonshëm, kur është në pyetje një takim i nivelit të tillë presidencial.
Merret vesh se mediat nuk do të kenë mundësinë ta përcjellin këtë takim të parë, përfshirë këtu mbase as ceremoninë shtrëngimit të duarve midis dy liderëve.
Madje, Jahjaga dhe Nikolliç, thuhet se do të hyjnë nga dy hyrje të ndryshme në kabinetin e Baroneshës Catherine Ashton, dhe është më se e sigurt se nuk do t’ju drejtohen medieve bashkërisht. Kurse, paraqitja individuale, do të varet nga ata dy.
Ndryshe, presidentja e Kosovës është takuar sot në Bruksel me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti i presidentes, Rompuy citohet të ketë thënë se “dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve”.
Presidentja gjatë ditës është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Anders Fogh Rassmusen dhe zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker dhe ambasadorin amerikan në Bruksel, Ëilliam Kennard.
PANORAMA
Add new comment