Braçe: Lista e kandidatëve të PS të votohet brenda partisë

Deputeti i PS: “Në opinionin tim do të duhet që të përfaqësohen shtresat dhe kategori sociale që duhet të mbrojnë interesat e tyre, brenda koalicionit, pse jo punëtor, pse jo sipërmarrës që janë jashtë suazës së klientelës politikës. Ata që kanë ngritur biznesin me djersën e ballit, pa interesa politike, koncesione e tendera.”
TIRANE – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i mbetet mendimit se për listat e kandidatëve për deputetë duhet të zbatohet modeli i primareve në ShBA, ndërsa jep një këshillë për kryetarin Edi Rama, lidhur me koalicionet, që duhet të formojë PS-ja.
Lista e kandidatëve
“Kjo është një çështje e brendshme e PS-së. Unë pres të flas në forumet e partisë, me gjithë dimensionin që ka, duke filluar nga mënyra më e mirë si mund të ndërtohet një listë me kandidatë për deputet. Veçanërisht në kushtet e këtij sistemi elektoral, që s’ka ballafaqim të drejtpërdrejtë të deputetit me qytetarin. Kriteret duhet të jenë themelore, deri te mënyra e përzgjedhjeve, unë jam partizan i modelit të primareve në ShBA”, tha dje Braçe në një intervistë për “News24”.
Koalicionet
Erion Braçe shprehet se për të maksimizuar votat duhet të dilet jashtë koalicioneve partiake. “…Koalicionet partiake shtojnë votën partiake, por nuk thithin votën e interesave, që lidhen drejtpërdrejtë me të majtën. Unë mendoj se PS-ja ka shpallur koalicionin, që ka parti me interesa partiake… PS-ja duhet të zgjerojë koalicionin, me gamë të ndryshme interesash, dhe jo vetëm me tryeza…”, tha Braçe, duke shtuar se duhet zgjeruar përfaqësimi me kategori sociale zëri i të cilave pak dëgjohet. “…Në opinionin tim, do të duhet që të përfaqësohen shtresat dhe kategori sociale që duhet të mbrojnë interesat e tyre, brenda koalicionit, pse jo punëtor, pse jo sipërmarrës që janë jashtë suazës së klientelës së politikës. Ata që kanë ngritur biznesin me djersën e ballit, pa interesa politike, koncesione e tendera. Sipërmarrës që janë ngritur nga toka me punën e tyre të ndershme. Pse jo kategori sociale për të cilat flasim shumë po bëjmë pak, si para ose tetraplegjikët. Këta persona janë shumë më të shkolluar, madje të mbishkolluar, se një pjesë e madhe e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Do të duhet të jenë në Kuvend që të mbrojnë interesat e tyre në Kuvend, dhe për fat të mirë interesat e tyre përputhen me ato të së majtës”, – tha ai. Braçe foli edhe për kategori të tjera, si ish-ushtarakët, të papunët, të cilët mund të përfaqësojnë më mirë se kushdo interesat e tyre.
Privatizimet
Një tjetër çështje për të cilën u pyet dje Brace lidhet me qëndrimin e PS-së ndaj privatizimeve të fundit. “…Një pjesë e çështjeve që janë diskutuar në Parlamentin e Shqipërisë kanë qenë të depozituara në Kuvend prej 2 muajsh. Lotaria kombëtare, për shembull, ndërsa hidrocentralet erdhën vonë dhe u futën për votim jashtë procedurave parlamentare. Natyrisht ne e kontestuam, sepse bëhet fjalë për pasuri kombëtare të shqiptarëve. Dhe nga ana tjetër kemi privatizimin e të drejtës monopol të Lotarisë Kombëtare, pa pasur transparencë. Por kur flas për transparencë e kam fjalën jo për publikim të kontratës, por transparencë të të gjithë procesit, thithjen e mendimit, të opinionit e të grupeve të interesit, që lidhen drejtpërdrejt me këto procese privatizimi, apo dhe të drejta të tjera ekskluzive monopol që po jep qeveria”, – tha Braçe. Më tej ai shtoi: “…në rast se në Kushtetutë thuhet se prona publike është e barasvlershme me pronën private, natyrshëm duhet që qytetarët të jenë pjesë e procesit dhe kjo gjë s’ka ndodhur dhe s’po ndodh me asnjë proces privatizimi. Kjo ka sjellë dështim të privatizimeve, nxitimi për t’i privatizuar në këtë periudhe krize, pa e zgjidhur krizën, tregon tendencën abuzive të qeverisë Berisha”.
MAPO
Add new comment