Boja e zgjedhjeve, 4 orë sherr në KQZ

Postuar në 09 Janar, 2013 11:57

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vetëm me katër vota pro dhe tri kundër vendimin për blerjen e bojës mat-rikulluese që do të përdoret gjatë zgje-dhjeve të 2013-s. KQZ nuk ka mundur ta kalojë këtë vendim me konsensus, për shkak të propozimit të Partisë Socialiste, që parashikon që boja matrikulluese të testohet dhe ajo të mos fshihet nga detergjentet, pijet alkoolike apo tretësit e ndryshëm kimikë. Ndërsa katër të zgjedhurit e maxhorancës i kanë qëndruar “besnikë” propozimit të administratës që boja me të cilin do të shënohen gishtat e votuesve të jetë e njëjtë me atë që është përdorur në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011 dhe të mos fshihet për 24 orë. Mbledhja e KQZ-së, që zgjati për rreth katër orë, vuri në pah dhe klimën e tensionuar midis palëve. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, e akuzoi kryetaren Lefterije Lleshi se po e kthen Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucioni i Parlamentit, duke mos u lënë mundësinë tre anëtarëve të pakicës të flasin. Biba u shpreh se kryetarja e KQZ-së po ndiqte shembullin e Jozefina Topallit. “Deri në fund do ta bëni si Parlament këtu, po e topallizon dhe KQZ-në”, u shpreh nënkryetari Biba. Ndërkohë që kryetarja Lleshi ka ironizuar deklaratën, duke thënë: “Ti rolin e kujt ke në këtë rast? Rolin e nënkryetarit, të Nasipit, apo të Ardian Turkut?”.
Votimi
Për herë të dytë në një hark kohor shumë të shkurtër, anëtari i zgjedhur nga PBDNJ-ja, Jani Jani, ka votuar kundër dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste në KQZ. Jani ka votuar në bllok me katër të zgjedhurit e maxhorancës kundër propozimit të koleges Albana Shtylla, e cila propozoi që boja matrikulluese të mos fshihej nga pijet alkoolike, detergjentet dhe përbërësit kimikë. Propozimi i Shtyllës u rrëzua me pesë vota kundër dhe dy vota pro. Ndërkaq, propozimi i të zgjedhurit të PBDNJ-së, që boja matrikulluese të mos fshihet nga të gjitha lëndët kimike, ka “përçarë” sërish votat e majta, pasi nënkryetari Denar Biba votoi pro, ndërsa Albana Shtylla bashkoi votat me katër anëtarët e zgjedhur nga maxhoranca. Ndërkohë që të shtatë anëtarët dje votuan kundër propozimit të juristit të PS-së, Genc Gjonçaj, i cili kërkoi, ashtu si anëtarja Shtylla, shtimin e përbërësve që nuk duhet të heqin bojën nga gishti i votuesit.
Debati për kodet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje që të blejë rreth 140 mijë kode sigurie, me të cilat do të vulosen kutitë e votimit në zgjedhjet e 23 qershorit. Blerja e kodeve të sigurisë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 140 mijë euro. Katër anëtarët e KQZ-së kërkuan që si kode rezervë të përdoreshin 48 mijë kodet e mbetura nga zgjedhjet e shkuara. Por, të majtët këmbëngulën që kodet të ishin të reja, për të garantuar integritetin e kutive të votimit. Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, tha dje se PS po shpërdoronte paratë e taksapaguesve, pasi me blerjen e kodeve të reja dhe mospërdorimin e atyre ekzistuese, do të shpenzonin 40 mijë euro.

Debati në KQZ
Denar Biba:
 Unë jam i përgjegjshëm për lekët e taksapaguesve, por mendoj se shuma nuk është domethënëse, sepse ne këtu vetëm me një ZAZ që i rritëm Fierit, nga 3 në 4, e çuam për dreq 600 mijë euro dhe mendoj që ekonomia e katërt e botës mund t’ia lejojë vetes kaq gjë.
Lefterije Lleshi: Ai 600 mijë eurosh do të përdoret për shumë zgjedhje, dhe jo vetëm për këto. Këto para janë të hedhura në kosh.
Denar Biba: Do jetë ndërtuar besimi, zoti Njazi. Është era e ndryshimit, me ndryshimin do të vijë dhe besimi.
Njazi Kosovrasti: Po ju, te cili ndryshim jeni, zoti Biba?
Leferije Lleshi: Mund të di sa është vlera e kodeve të sigurisë që ne do të hedhim në plehra?
Genc Gjonçaj: Po pyete pak për vulat rezervë të 2011-s që u hodhën në plehra. Ka dhe llogari të tjera.
Aljona Mansaku: I vendosët në Kodin Zgjedhor vulat rezervë tani.
Njazi Kosovrasti: Po të mos i hyjmë sabotimit të procesit që keni bërë ju. Po i shohim dhe ato po deshe, ore Genc.
Lefterije Lleshi: Tani do të shpenzojmë 40 mijë euro plus, dhe ato kode që kemi rezervë do t’i hedhim në plehra. Dhe kur të kemi prapë zgjedhje, edhe këto që do blejmë do t’i hedhim në plehra.
Denar Biba: Po nuk prishet dasma për një qepë.
Albana Shtylla: Inspektorati Qendror Teknik ka dërguar një shkresë zyrtare dhe ne këtu kemi dëgjuar në KQZ shprehje të tilla që shkresat zyrtare nuk interpretohen, por lexohen siç janë.
Lefterije Lleshi: Më vjen mirë që e pranoni shkresën që ka firmë dhe vulë, ashtu siç nuk pranuat shkresën me firmë dhe vulë të Ministrisë së Brendshme. Më vjen mirë që e dëgjoj nga goja juaj.
Denar Biba: Deri në fund do ta bëni si Parlament këtu, po e topallizon dhe KQZ-në.
Lefterije Lleshi: Faleminderit shumë! Ti rolin e kujt ke në këtë rast? Rolin e nënkryetarit, të Nasipit, apo të Ardian Turkut?

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.