Berisha, Serbisë: Të rënët tanë nuk vdesin kurrë

TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha reagoi nëpërmjet faqes së tij në Facebook lidhur me heqjen e lapidarit të UÇPMB-së, duke e cilësuar këtë një akt , i cili dëshmon edhe njëherë se bashkimi i kombisht shqiptar është vendimtar për të ardhmen.
“Akti i heqjes se monumentit te heronjve te kombit shqiptar te Lugines se Presheves, eshte deshmi tjeter e albanofobise qe sundon politiken zyrtare te Beogradit ndaj shqiptareve. Ky akt deshmon dhe nje here se bashkimi i kombit shqiptar eshte vendimtar per te ardhmen e tij por dhe per clirimin e fqinjeve tane nga albanofobia dhe pasiguria qe ndiejne ata qe kane pushtuar trojet e shqiptareve dhe sherbehen me praktika rraciste dhe fobie ndaj tyre.”- shkruan Berisha.
Berisha i bën thirrje qytetarëve dhe udhëheqësve politike të Preshevës që të shmangin provokimet, te ruajne gjakftohtesine ndaj terrorit policesk te Beogradit, duke i garantuar se Shqipëria do të bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombetare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptareve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës.
“Ata qe shkulen monumentin e heronjve te Presheves duhet ta dine se; Te renet tane nuk vdesin kurre!”- përfundon reagimi i Berishës.
Qeveria shqiptare dënon aktin. Thirje ndërkombëtarëve: Ndalni stuhinë e albanofobisë
Të rëndë dhe dëshmi të albanofobisë së Beogradit e ka cilësuar qeveria shqiptare heqjen e përmendores së UÇPMB-së në Luginën e Preshëvës, ndërsa ka lëshuar një thirrje drejt institucioneve ndërkombëtare që të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, qeveria e kryeministrit Sali Berisha dënoi aktin e largimit, siç shprehet ajo, me autoblinda, mitraloza dhe terror, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Millosheviçit.
“Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë.”- thuhet në deklaratë.
Më tej, qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, duke i suguruar ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut.
PANORAMA
Add new comment