Berisha: Rama mbledh fundërrinat, PD do të fitojë zgjedhjet

Postuar në 17 Janar, 2013 07:48

 

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar angazhimin maksimal të drejtuesve të  PD-së për të arritur një fitore në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një takim me të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe ato të Grup Seksioneve, kreu i PD-së theksoi se data 23 Qershori duhet të jetë një 22 mars i vërtetë.

“Me projektet e suksesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misionin e forcës politike që u themelua  22 vjet më parë këto data të duken binjake në aspirata dhe arritje. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që në 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të Partisë Demokratike si një forcë politike që në këto 22 vjet ka pasur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rënies së perdes së hekurt në Evropën post-komuniste”, tha Berisha.

Kreu i PD-së gjithashtu bëri një rezyme të arritjeve që ka bërë vendi gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

“Kjo parti ka faktuar që ajo disponon të gjithë potencialin kombëtar të integrimit të vendit në familjen euro-atlantike. Në 22 vite nuk i kemi zënë rrugën askujt që të bëjë detyrat e veta në procesin e integrimit por historia është kjo. Është Partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, firmosi marrëveshjen e MSA-së pas marrëveshjes me tregtinë, mori ftesën për anëtarësim dhe më pas anëtarësoi vendin në NATO,  është Partia Demokratike ajo që bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Europën. Është PD-ja ajo që realizoi ose bëri të vërteta këto ëndrra shekullore të Shqipërisë sepse në vitet e pushtetit ajo ndërmori reformat më të thella dhe më transformuese për vendin”,- tha Berisha.

Kreu i PD-së nuk la pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama që sipas tij po mbledh rreth vetes ato persona të cilët ai i cilësoi si fundërrina.

“S`ka më të zhgënjyer sesa ata që votuan katër vjet më parë Partinë Socialiste sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin atë në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant të aspiratave të mbarë shqiptarëve dhe aspiratave të elektoratit të PS-së.  Ai ka moton “fundërrinat e të gjitha llojeve të bashkohen kundër Sali Berishës”. Le të bashkohen të gjitha fundërrinat por fundërrinat përveç Lanës vend tjetër s`mund të kenë. Sesi mund të dilet me moton fundërrina bashkohuni të mundim Berishën, kjo është dëshmia e dështimit total. Kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, është i mbuluar dhe kërkon të mbulojë disfatat e njëpasnjëshme. Ne do të mbetmi qytetar të vlerave dhe kjo është motoja jonë  sepse ne jemi parti e vlerave. I pasigurt totalisht për ditën që agon, i bindur për disfatën që e pret kreu i PS-së kërkon të bashkojë rreth vetes edhe ato që më vjen zor t’i them me fjalë”,- shtoi më tej Berisha.

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.