Berisha në Samitin e Brukselit: Denoncova përpjekjet e opozitës për të demonizuar zgjedhjet

Kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, pjesëmarrjen e tij në Samitin e EPP në Bruksel. Në postimin e tij në rrjetin social kryeministri thekson se ka garantuar të pranishmit për vendosmërinë e qeverisë së tij për të garantuar zgjedhje të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe njëkohësisht ka denoncuar përpjekjet e opozitës dhe mbështetësve të saj për demonizimin e zgjedhjeve.
“Të dashur miq, sot mora pjesë në punimet e Samitit të EPP në Bruksel, në të cilin merrnin pjesë Presidenti i Bashkimit Europian Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Europian Barroso, Kancelarja Angela Merkel dhe 16 Presidentë dhe Kryeministra të Partive simotra të vendeve anëtare të BE dhe partive të tjera të Qendrës së Djathtë. Në Samit, debati u përqendrua kryesisht në reformat ekonomike të vendeve anëtare të Eurozonës dhe rezultatet e tyre. Në diskutime mbizotëroi fryma e optimizmit, mendimi se reformat e ndërmarra po japin rezultate pozitive të qarta në Irlandë, Itali, Greqi, etj.
Në Samit mora fjalën dhe garantova të pranishmit me vendosmërinë e PD dhe qeverisë për të garantuar zgjedhje të standardeve më të mira ndërkombëtare. Ftova të gjithë të pranishmit të dërgojnë nëpërmjet ODHIR vëzhguesit më të shumtë në zgjedhjet tona të përgjithshme sikundër denoncova përpjekjet e opozitës dhe mbështetësve të saj për demonizimin e zgjedhjeve.
Samiti kryesohet nga Presidenti i EPP, Wilfred Martens dhe zhvillohet si një drekë e zgjatur pune. Gjatë punimeve të tij u përshëndeta dhe shkëmbeva shkurtimisht mendime me pothuaj të gjithë Kryeministrat, Presidentët dhe miqtë e tjerë të pranishëm në Samit! Sb”, – ka shkruar Berisha në “Facebook”.
SHQIP
Add new comment