Berisha: Maqedonia të ndëshkojë autorët që dëmtojnë bashkëjetesën ndëretnike

TIRANË- Ka reaguar kryeministri Berisha në lidhje me dhunën e ushtruar nga huliganët maqedonas ndaj shqiptarëve, ku shumë fëmijë u lënduan. Ai i bënë thirrje shqiptarëve në Maqedoni të shmangin incidentet, ndërsa autoriteteve i kërkon që të ndëshkojnë autorët e këtyre veprime, sipas tij primitive dhe që dëmtojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike. Apelin kryeministri e bëri në faqen e tij në Facebook.
“Ditët e fundit, grupe ekstremistesh e huliganësh maqedonas kanë ndërmarrë sulme fizike të përsëritura, kundër nxënësve dhe të rinjve të etnisë shqiptare në Shkup dhe kanë keqtrajtuar dhe plagosur disa prej tyre. Këto sulme primitive, që në aparencë kanë patur si shkak absurd emërimin në detyrën e Ministrit te Mbrojtjes të z.Talat Xhaferi nga BDI, në përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar, kanë shkaktuar rritjen e mëtejshme të tensioneve ndëretnike dhe dëmtimin e klimës parazgjedhore në Maqedoni.
Qeveria shqiptare dënon me ashpërsi këto sulme primitive ndaj nxënësve dhe të rinjve shqiptarë, nga ekstremiste fanatikë maqedonas dhe i bënë thirrje forcave politike shqiptare dhe shqiptareve të Maqedonisë të shmangin provokacionet dhe përshkallëzimin e dhunës.
Qeveria shqiptare kërkon nga autoritetet maqedonase të ndëshkojnë me të gjithë forcën e ligjit autoret e këtyre akteve primitive, me te cilat ata duan te dëmtojnë rende bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni. Sb”,- shkruan Berisha.
Protestuesit apel Berishës dhe Thaçit të mos heshtin përballë huliganëve maqedonas
Protestues shqiptarë sot në Shkup apeluan që Prishtina dhe Tirana të mos heshtin përballë dhunës dhe brutalitetit të huliganëve maqedonas të shprehur ndaj shqiptarëve, raporton INA.
“Apelojmë që të mos heshtë Sali Berisha dhe Hashim Thaçi. Ky i fundit bile na doli zot se është gardian i shqiptarëve të Maqedonisë dhe trevave tjera. Ku është ai gardian sot, pse po heshtë dhe nuk po reagon”, kanë shprehur revoltën të rinj shqiptarë, pjesë e protestës paqësore kundër dhunës dhe huliganizmit maqedonas.
Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Tirana dhe Prishtina, për t'i bërë kërkesë Shkupit zyrtar që të ndërpres dhunën dhe masat represive ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, që ndodhën dje nëpër rrugët e Shkupit.
Kryeministri i Kosovës në 100 vjetorin e festimeve në Shkup theksoi se Kosova do të jetë gardian i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe do të mbrojë ato në Maqedoni, Luginë dhe trevat e tjera jashtë kufijve.
SHEKULLI
Add new comment