Bashkim Zeneli: Berisha dhe Thaçi, karshillëk të rrezikshëm ndaj aleatëve

Diplomati flet dhe për mospjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në seancën parlamentare për 5-vjetorin e Kosovës
Fatjona Mejdini
Diplomati dhe politikani Bashkim Zeneli, në një intervistë për “Shqip”, flet për pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe nacionalizmin që ka lindur në mes. Sipas tij, liderët politikë të Tiranës dhe Prishtinës po i çojnë mesazhe të papërgjegjshme dhe karshillëku aleatëve më të afërt të dy vendeve, SHBA-së dhe Bashkimit Europian. Ai gjithashtu thekson faktin se Parlamenti duhet të ishte shumë i kujdesshëm edhe për sa u përkiste ftesave ndaj diplomatëve në seancën përkujtimore për këtë përvjetor të Kosovës. Sipas Zenelit, në rast se ata i kanë marrë ftesat dhe nuk janë përgjigjur, atëherë ky është një qëndrim i tyre ndaj deklaratave nacionaliste në të dyja vendet.
Si e shikoni Kosovën dhe bilancin e saj në këtë përvjetor të pestë të pavarësimit të saj. Cilat nga zhvillimet shikoni si më pozitivet dhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë?
Natyrisht 5-vjetori i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur është një ngjarje e rëndësishme. Në këto pesë vjet sigurisht që ka një bilanc konkret të arritjeve në çdo fushë, për sa i përket forcimit të demokracisë në vend, institucioneve demokratike. Pesë vjet nuk janë shumë për një shtet të ri, por natyrisht dhe këto pesë vjet flasin për një Kosovë që po zhvillohet në të gjitha planet. Ajo është sot anëtare e organizmave më të rëndësishëm politikë dhe financiarë në botë. Kosova ka marrë pyetësorin për liberalizimin e vizave, për problemet e stabilizimit-asocimit në BE, është një vend që është njohur nga 100 shtete dhe hapat natyrisht janë hapa drejt progresit dhe arritjes së standardeve të domosdoshme për një vend që aspiron BE-në dhe NATO-n. Natyrisht nuk prirem t’i shikoj në zi edhe arritjet dhe mosarritjet. Në një moment të tillë bilanci është pozitiv dhe Kosovës i janë bashkangjitur thjesht dhe vetëm suksese, por, nga ana tjetër, ka sfida përpara për t’i përballuar si një shtet i ri. Natyrisht që Kosova ka probleme në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. Janë probleme që janë vlerësuar se ky vend i ka dhe nga faktorët ndërkombëtarë në këtë vend. Këto janë probleme dhe duhet të luftohen me efikasitet e jo duke u trumbetuar thjesht si arritje 2 apo 3% më pak etj. Korrupsioni dhe krimi i organizuar i brejnë shtetet dhe shoqërinë. Ato i bëjnë qytetarët të humbasin besimin për një të ardhme demokratike. Ato humbasin edhe besimin e pjesëmarrjes së njerëzve në qeverisjen e vendit dhe mes politikanëve e qytetarëve krijohet një hendek i madh. Por përpara janë edhe sfida të tjera, që do të zgjidhen pak e nga pak, si zhvillimi i ekonomisë, ulja e papunësisë, rregullimi i infrastrukturës, të cilat kërkojnë edhe kohë të përballohen, por mendoj se janë në rrugën e zgjidhjes. Një sfidë emergjente për palët është edhe ajo e Veriut të Kosovës, këtu kam parasysh situatën në Mitrovicë.
Por në një kohë ne kemi deklarata që vijnë nga liderët kryesorë të Kosovës, siç është Kryeministri Hashim Thaçi, i cili pak ditë më parë kërkoi menjëherë liberalizimin e vizave, duke i kujtuar Europës mundësinë e bashkimit me Shqipërinë. Ju si i gjykoni këto?
E dëgjova atë deklaratë dhe do të doja ta konsideroja si emocionale, por më duket se nuk është fjala e saktë për ta konsideruar të tillë. Më shumë se emocionale, ajo është e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Më duket e tepërt që Kryeministri i Kosovës, Thaçi, të vendosë alternativën, o na i jepni menjëherë vizat, ose ne do të bashkohemi në një shtet të vetëm dhe do të futemi në Europë. Nuk mund të flitet me këtë gjuhë. Kam përshtypjen se është një moment mosmirënjohjeje edhe ndaj kontributeve të veçanta të BE-së dhe SHBA-së, në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve në Kosovë. Në të tilla raste është e qartë që ka standarde, ka kërkesa. BE-ja është e interesuar që shtetasit e Kosovës të lëvizin të lirë dhe në Europën e bashkuar, por kjo nuk bëhet as me paralajmërime dhe aq më tepër as me ekzaltime nacionaliste. Këto qëndrime janë folklorike dhe demode.
A e shikoni këtë zhvillim në Kosovë të lidhur me nacionalizimin e ngritur në Shqipëri nga Kryeministri Berisha, për të cilin edhe SHBA-ja ka ngritur zyrtarisht një shqetësim?
As në Shqipëri dhe as në Kosovë nuk qëndrohet në pushtet, e aq më tepër nuk mund të përparohet në rrugën e integrimeve euroatlantike me retorika nacionaliste. Janë të papranueshme edhe karshillëqet që liderët e Shqipërisë dhe Kosovës demonstrojnë ndaj aleatëve tanë perëndimorë si BE-ja dhe SHBA-ja. Çfarë duam t’ju tregojmë ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës atyre? Këto ndenja inspirohen shpesh edhe nga qeveritë dhe nga partitë politike. Unë nuk i shikoj marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës si marrëdhëniet e një shteti që do të bashkohet nesër. Ne vërtet jemi një komb, por jemi dy shtete dhe këtë vërtet duhet ta fiksojmë shumë mirë. Në këtë kuadër ne duhet të kemi marrëdhënie të ndryshme nga ç’mund t’i kemi dhe i kemi me shtete të tjera, si në planin ekonomik dhe atë kulturor. Duhet të krijojmë një lloj shkrirjeje, një lloj precedence në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Por nacionalizmat janë të rrezikshme, aq më tepër kur për këtë çështje, qeveria shqiptare është paralajmëruar disa herë për të ulur tonet dhe retorikat dhe në kuadër të fushatës zgjedhore. Sot vendet duhet të ecin para drejt BE-së me një tjetër frymë dhe jo me frymën e rishikimit të kufijve apo bashkimit të shqiptarëve në pesë shtete ku janë etj. Është Brukseli ai që duhet të na bashkojë, është një frymë e re, është zhvillimi i mëtejshëm i komunikimit për të ecur nesër drejt shteteve pa kufij, siç i ka Europa e bashkuar. Mendoj se nëse flitet ndryshe, ne vetëm vonojnë proceset tona integruese dhe do të tregohemi të sforcuar në bindjen se duam të shkojmë në Europë dhe duhet të mësohemi të respektojmë standardet dhe kërkesat e Europës së qytetëruar.
Si e shikoni përkujtimin e pesëvjetorit të Kosovës që u bë në Parlamentin e Shqipërisë, në një seancë ku mungonte opozita dhe po kështu trupi diplomatik i akredituar në Tiranë? Nga ana tjetër, sa po bën aq sa duhet aktualisht diplomacia shqiptare për Kosovën?
Nuk mendoj se të gjitha gjërat i zgjidh diplomacia, por gjithsesi ashtu si e thatë edhe ju, në këtë pjesë Shqipëria duhet të ndikojë në lobimin për njohje të reja të Kosovës. Duhet të pranojmë se ka një proces ngadalësimi apo stopimi, pavarësisht ato që thuhen. Po kështu edhe diplomacia e Kosovës duhet të punojë nga ana e saj, tashmë ka struktura më të formuara dhe të forta se më parë. Për sa i takon përkujtimit të pesëvjetorit në Parlament, nuk mund të bëj ndonjë koment, sepse nuk e di si është organizuar kjo ceremoni dhe kush e ka organizuar, si janë njoftuar ose jo pjesëmarrësit. Kemi dëgjuar edhe palën parlamentare, që thotë se ne kemi njoftuar tavolinë më tavolinë dhe kemi edhe deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, z. Rama që e shpjegon qartë këtë. Pa dashur t’i bëj koment shumë, dua të mbështes deklaratën e Ramës që thoshte se nuk bëhej fjalë për ftesë ose jo, por për një koncept më të gjerë, më gjithëpërfshirës të aktorëve politikë shqiptarë në përkujtimin e këtij përvjetori. Ndërsa për sa i përket pjesëmarrjes së trupit diplomatik, nuk e di nëse janë njoftuar apo jo. Nëse ata janë njoftuar dhe nuk kanë ardhur, ky është një qëndrim, duke u nisur edhe nga paralajmërimet që kemi marrë në mënyrë të veçantë nga SHBA-ja për të ulur tonet nacionaliste. Nëse ata nuk janë njoftuar, kjo është një çështje që është gjykuar nga forma e organizimit. Por në të tilla raste njoftimet bëhen me përgjegjësi dhe në kohën e duhur. Nga ana tjetër, kjo nuk është gjithçka. Marrëdhëniet me Kosovën duhet t’i shikojmë në mënyrë më intensive në të gjitha fushat. Unë kam përshtypjen se kemi mbetur në slogane, në fjalë dhe pak është bërë konkretisht, sidomos në fushën e ekonomisë. Edhe ju jeni të njohur sa dhe unë se ka pasur probleme të këtyre marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, ka pasur deklarata edhe nga ministrat përkatës të Ekonomisë së dy vendeve etj. Këtu duhet të fokusohemi jo vetëm në aspektet protokollare dhe ceremoniale, ato kanë peshën e tyre, por thelbi duhet të qëndrojë te bashkëpunimi konkret.
Si i shikoni bisedimet Prishtinë-Beograd dhe mendoni se tashmë mund të ketë një njohje ‘de facto’ të Serbia për Kosovën?
Mendoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i nisur që para dy vjetësh në nivele jo aq të larta sa tani, është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Këtë e theksoi edhe sekretari i ri amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, gjatë takimit me baroneshën Ashton. Nuk mund të ketë asnjë zgjidhje jashtë dialogut, jashtë tavolinës dhe bisedimeve. Ky dialog ka qenë shpeshherë i sforcuar për shkaqe të ndryshme, ka qenë shpeshherë i ngadalësuar dhe i ndaluar, por tashmë niveli është rritur dhe ai po vazhdon. Për sa i përket pyetjes suaj, dua të them se takimet nuk duhet të ekzagjerohen. Këtu dua të them që nuk janë normale qoftë deklaratat e Berishës, apo dhe ato nga drejtuesit e Kosovës, se tashmë ky vend u njoh ‘de facto’, sepse u takuan dy presidentë. Duhet të jemi të matur në të tilla deklarata, sepse ndonjëherë prishim punë me to.
LSI pranon memon e amerikanëve.
Vasili: Duhet të shqyrtohet me gjakftohtësi
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, pohoi dje ekzistencën e një memoje të qeverisë amerikane për qeverinë shqiptare, ku kësaj të fundit i kërkohet që të hiqet dorë nga tonet nacionaliste. Vasili është një nga eksponentët më të lartë të LSI-së, parti e cila drejton dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, vend ku është depozituar edhe dokumenti i qeverisë amerikane. Në këtë kuadër, ai theksoi se kjo memo duhet të shqyrtohet me gjakftohtësi, nisur nga fakti se ajo është dërguar nga një aleat i madh, siç është SHBA-ja. “Memoja duhet lexuar me gjakftohtësi dhe dashamirësi dhe gjithçka që ekziston në shqetësimin e drejtpërdrejtë, të tërthortë apo të nënkuptuar duhet analizuar në çdo pjesë të saj. Mendoj që politika shqiptare është kaq e re në zhvillimet e saj dhe besoj se ka gjithmonë për të reflektuar nga një politikë e madhe, siç është politika amerikane, ndaj këqyrja me modesti dhe me mendje të ftohtë e çdo sinjali apo vlerësimi që vjen nga Amerika, është besoj qëndrimi i duhur dhe i vetëm që mund të bëhet në këtë rast”, theksoi Vasili.
SHQIP

Add new comment