Basha: Shqiptarët të pasigurtë, po varfërohen çdo ditë.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një tryezë me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Në fjalën e tij, pas shtatë muajsh qeverisje Rama-Meta kemi një rritje të çmimeve të ushqimeve. “Rritja e taksave është shndërruar në rritje çmimesh, ngrirja e pagave dhe pensioneve ka çuar në rënien e fuqisë blerëse për personat e punësuar dhe ata që janë të papunë e pensionistë”, u shpreh Basha.
Në vlerësimin e tij, buxheti i varfër i shqiptarëve po përdoret gjithnjë e më shumë për konsumin bazik të ushqimeve dhe gjithnjë e më pak për rritjen e standardit të jetesës.
“Po kështu kemi një rënie të ritmit të depozitave. Po shpenzojmë më pak për mirëqenie dhe po kursejnë edhe më pak”, theksoi Basha.
Ai e cilësoi të papërgjegjshme qeverinë me politikat e saja agresive dhe ofensivave gjobëvënëse të agjencive shtetërore ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
“Punësimi dhe papunësia si premtimi dhe problemi kryesor i vendit është treguesi i mashtrimit të qeverisë Rama-Meta. Duhet të ishin punësuar deri tani 9 mijë persona vetëm në sektorin bujqësor. Shifrat tregojnë se jo vetëm nuk ka rritje por rënie”, tha Basha.
Add new comment