Basha: “Tirana tani ka shqiponjë, ka shtatore”. Rama: “Tirana do jetë lokomotiva e fitores sonë”

Lulzim Basha, një vit e gjysëm pasi erdhi në detyrë me vota të manipuluara, nuk ka asgjë që t’u tregojë qytetarëve si arritje, përveçse ka ngritur ca shtatore dhe ka vendosur një shqiponjë në hyrje të Tiranës.
Duke folur për 93- vjetorin e kryeqytetit, ai tha se Tirana është shfrytëzuar për ideologji.
“Ne jetojmë sot në kryeqendrën e sipërmarrjes, studentëve, të atyre që duan të ndryshojnë jetën e tyre. Nuk është e rastësishme që Tirana është ëndrra e të rinjve dhe prindërve të tyre që kujdesen për të ardhmen e fëmijëve. Këto tipare e rrisin përgjegjësinë që Bashkia ka zgjedhur për të qeverisur qytetin. Për fat të keq, ka pasur shpesh periudha që Tirana është shfrytëzuar, është shfrytëzuar për ideologji, për të shtypur lirinë, është shfrytëzuar për interesa ekonomike, është lënë në errësirë, është ndaluar festa, stolisja, siç i takon qendrës më të rëndësishme të kombit, është ndërtuar shpesh dhe si një komunë e largët, pa dinjitet.
Sot, Tirana ka simbolet e saj të merituara. Nuk është më qyteti “memec” që nuk tregonte asgjë. Ka shqiponjën e madhe në hyrje të qytetit tonë, ka shtatoret që dëshmojnë historinë, sakrificat dhe mirënjohjen tonë për heronjtë e kombit. Në Tiranë u ngrit për herë të parë edhe Kuvendi mbarëkombëtar i njësive vendore shqiptare, të gjithë rajonit, një lëvizje që bashkon të gjithë shqiptarët e Ballkanit,” tha Basha.
Kurse kryeministri tha se Rama do humbasë si Ramiz Alia në Tiranë.
Ish- kryebashkiaku dhe kreu aktual i opozitës, Edi Rama, është përgjigjur në rrjetin social Twitter, duke thënë se Tirana do jetë lokomotiva e fitores së PS.
“Jam dakord me Saliun, pas 23 qershorit Tirana do njohë një hov të ri zhvillimi! Ne do risjellim fuqinë transformuese të fillimviteve 2000.
Qeveria që do dalë nga vota për një Rilindje Shqiptare do bëjë për Tiranën gjithçka u pengua nga pushteti i votave të vjedhura të 2009 e 2011!
Tirana do jetë lokomotiva e fitores së Rilindjes ndaj rrënimit; rendit ligjor ndaj krimit e abuzimit, barazisë së mundësive ndaj padrejtësisë!”
TEMA
Add new comment