Bardh Spahia jep dorëheqjen nga Presidenca

Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës, Bardh Spahia, ka dhënë dje dorëheqjen nga posti që mbante prej shtatë muajsh në Presidencë. Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, i cili la postin në Ekzekutiv për të qenë pjesë e stafit të ngushtë të Presidentit Bujar Nishani, ka firmosur dje shkresën e dorëheqjes nga posti i sekretarit të Përgjithshëm. I kontaktuar nga “Panorama”, Bardh Spahia nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, por ai as nuk e ka mohuar dorëheqjen e tij nga detyra e rëndësishme që mbante në Presidencë.
Dorëheqja e sekretarit të Përgjithshëm është konfirmuar nga zyra e shtypit pranë kreut të shtetit. Të kontaktuar nga “Panorama”, përfaqësuesit e zyrës së shtypit nuk kanë dhënë arsye për këtë vendim të ish-sekretarit të Përgjithshëm, Spahia, për të dhënë dorëheqjen, por e kanë konfirmuar këtë fakt.
Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë prej shtatë muajsh ka qenë në detyrë dhe ka marrë pjesë në procese të rëndësishme të përzgjedhjes së emrave të figurave më të rëndësishme të institucioneve të Drejtësisë dhe Inteligjencës. Ish-sekretari i Përgjithshëm, Spahia, ishte në detyrë kur u shkarkua kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe zëvendësimi i tij me Visho Ajazi Likën. Po ashtu, ishsekretari i Përgjithshëm i Presidentit ka asistuar në vendimmarrjen për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri Adriatik Llalla dhe ndërprerjen e mandatit të Ina Ramës. Emri i Bardh Spahisë në postin e sekretarit të Përgjithshëm në Presidencë u përfol se u propozua nga Kryeministri Sali Berisha. Ndërkohë, ish-sekretari i Përgjithshëm ka pasur një rol aktiv në rikonstruksionin e oborrit të Presidencës, që u realizua me donacione private dhe që sipas zëdhënëses së Presidentit ka qenë ideator i këtij projekti.
Gjatë një prononcimi për gazetën, zëdhënësja Irma Toptani ka thënë se: “Gjithçka po na bëhet dhuratë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ku meritë të veçantë si iniciator në ide, në organizim, koordinim dhe në ndjekjen e punimeve ka vetë sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia”. Ndërkohë që burime presidenciale kanë thënë për çështjen e rikonstruksionit të oborrit të Presidencës se gjithçka u realizua me kosto zero për buxhetin e shtetit nga donatorë privatë. “Është e vërtetë që rikonstruksioni i oborrit të Presidencës, në 6 mijë metra katrorë, u bë me kosto zero në buxhetin e shtetit.
Gjithçka është bërë me donacione nga kompani private, duke filluar që nga projekti i përgjithshëm i rikonstruksionit, që është dhuratë nga arkitekti i njohur në Europë dhe SHBA, Italo Rrota”, bëjnë me dije burimet presidenciale, duke treguar njëkohësisht edhe emrat e tjerë të donatorëve. “Fiera del Levante” është një ndër ta që, së bashku me rajonin e Pulias e kanë hijeshuar oborrin e godinës së kryetarit të shtetit me simbolin e paqes, një pemë ulliri 450-vjeçare në shenjë të miqësisë shekullore mes dy vendeve”, kanë thënë burime për “Panorama”.
PANORAMA
Add new comment