Banorët e Ulzës kundër privatizimit të HEC-ve: Do bojkotojmë zgjedhjet

Ditën e sotme banorët e Ulzës kanë protestuar kundër privatizimit të HEC-ve. Këta banorë janë kundër privatizimit të HEC-ve të Ulzës dhe Shkopetit me pretendimin se kanë prona në këto hidrocentrale. Banorët kërcënojnë se nëse finalizohet nesër në Kuvend kontrata e shitjes do të bllokojnë rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë dhe do të bojkotojnë zgjedhjet e 23 qershorit. Madje ata kanë kërkuar edhe ndihmën e liderit të LSI-së Ilir Meta, të cilit i bëjnë thirrje që deputetët e LSI-së të mos miratojnë të hënën në Kuvend marrëveshjen e privatizimit të hidrocentraleve.
Protestës së banorëve u janë bashkuar edhe specialistë të hidrocentralit të Ulzës dhe Shkopetit, të cilët thonë se qeveria ka abuzuar me tenderat. “Nëse HEC-et privatizohen do të mbetemi në rrugë të madhe”- shprehen specialistët.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nënshkroi pak javë më parë kontratën me kompaninë Kurum për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a” dhe shoqërisë “HEC Ulëz Shkopet sh.a”. Oferta e Kurum u miratua edhe nga Këshilli i Ministrave . Katër hidrocentralet të ndara në dy paketa, Bistrica 1 dhe 2 më vete dhe Ulzë-Shkopetit, janë blerë për shumën 109.5 milionë euro.
Sipas Partisë Socialiste, shitja e 4 hidrocentraleve nga qeveria është një aferë korruptive, përmes së cilës shqiptarëve u është shkaktuar një dëm prej më shumë se 100 milionë eurosh. Për këtë arsye, PS-ja ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2.
Përkundrejt akuzave të opozitës për korrupsion në shitjen e 4 HEC-ve, ministri i Energjetikës, Edmond Haxhinasto e konsideron privatizimin e tyre si një sukses që si asnjëherë tjetër është bërë në sytë e publikut.
SHEKULLI
Add new comment