Avokati: “Shpëtim Gjika ka gjobitur ndërtuesit e dy pallateve”

Postuar në 01 Nëntor, 2013 03:56

Ardian Leka: 8-katëshi s’është brenda portit, 13-katëshi jo në lulishte. Anëtarët e KRRT s’mbajnë mend, lejet janë dhënë. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka vendosur gjoba ndaj ndërtuesve të dy pallateve për të cilat Prokuroria e akuzon se ka dhënë leje të falsifikuara. Kështu deklaroi mbrëmë Ardian Leka, avokati mbrojtës i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, në procesin gjyqësor të hapur nga Prokuroria me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Mbrojtësi ligjor i kryebashkiakut të Vlorës, për herë të parë foli mbrëmë në Top Channel, në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ku tha se hetimet e Prokurorisë janë të paplota. Avokati Leka sulmoi organin e akuzës duke pohuar se ka hetuar një çështje për dy pallate, ku në njërin rast personi që ka bërë kallëzimin është anonim, i paverifikuar dhe në rastin tjetër nuk ka fare kallëzim. “Në rastin e pallatit 2-6 kate, të ngritur te porti, në datën 7 dhjetor 2012, Shpëtim Gjika dhe stafi i tij kanë vendosur gjobë një milion lekë dhe kanë kërkuar pezullimin e punimeve pasi nuk kishte leje sheshi dhe leje ndërtese”, tha avokati.

Ai bëri me dije se për pallatin 13-katësh te “Tre Rasat”, Bashkia sërish ka kërkuar pezullimin e punimeve dhe në datën 11 shkurt 2013 ka vendosur gjobën 500 mijë lekë. Mbrojtësi ligjor i Shpëtim Gjikës deklaroi se Prokuroria ka refuzuar të marrë dokumente të arkivës duke futur në dosje shkresa të tjera. “Ka dokumente që tregojnë se pallati i ngritur në zonën e portit, 2-6 kate, nuk është në zonën e brendshme të portit siç është pretenduar nga Prokuroria. Unë kam një hartë sipas vendimit të qeverisë të vitit 2004, ku thuhet se zona ku është ngritur ky pallat është zonë banimi”, tha avokati. Ai bëri me dije se edhe pallati 13-katësh në Skelë nuk ka prekur zonën e gjelbër. “Lulishtja është 1300 metra në këtë zonë dhe pallati nuk e ka prekur.

Madje, ky pallat është ngritur mbi gërmadhat e një ndërtese tjetër që ka qenë aty”, tha avokati Ardian Leka. Ai bëri me dije se edhe pretendimi për sigurimin e pronësisë së sheshit të ndërtimit pas dhënies së lejes nuk qëndron. “Gëzim Feta është pajisur me certifikatë pronësie për sheshin ku ka ngritur pallatin që në vitin 2005, më pas ka azhurnuar certifikatën në 2009, pra një vit para lejes, por Prokuroria nuk i ka verifikuar këto”, tha avokati.

FALSIFIKIMET
Mbrojtësi ligjor i Shpëtim Gjikës ka hedhur poshtë dje mundësinë e falsifikimit të procesverbaleve të mbledhjeve të KRRT-së të datave 24 mars 2010 dhe 15 2010. “Shkrimi në procesverbal, sipas ekspertizës, është bërë në të njëjtën kohë, me të njëjtën bojë dhe nga i njëjti person. Nuk mund të dënohet Shpëtim Gjika për bukurshkrimin e punonjëses”, tha avokati.

Ai bëri me dije se procesverbalet përmbajnë të listuara vendimet e marra nga anëtarët dhe në fund janë hedhur firmat e pjesëmarrësve në mbledhje, duke mos lënë hapësira boshe. “Janë pyetur anëtarët e Këshillit Bashkiak, madje mund të përmend me emër një kundërshtar të deklaruar të zotit Gjika, i cili është pyetur dhe ka thënë se “nuk e mbaj mend” të jetë diskutuar për leje ndërtimi”, tha avokati. Ai theksoi se Prokuroria ka aluduar kur ka thënë se anëtarët e KRRT-së kanë mohuar diskutimin për lejet në fjalë. “Propozimi për dhënien e lejeve është bërë nga Shpëtim Gjika, në mbledhje ka pasur debat për këto leje dhe kjo është në procesverbale. Prokuroria nuk i ka pyetur anëtarët pse nuk kujtojnë çfarë kanë diskutuar”, theksoi avokati i Shpëtim Gjikës. Ai tha se pallatet kanë pasur leje, por zbatimi i lejes është bërë nga kompanitë në mënyrë të paligjshme. tr.so

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.