Atentat 48 vjeçarit te Unaza e Re. Pranga njërit prej atentatorëve

TIRANE - Një atentat me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku një 48 vjeçar është plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në zonën e Unazës së Re, ku i plagosur rëndë ka mbetur Krenar Hasanaliaj 48 vjeç, banues në Vlorë.
Mësohet se dy autorë, të cilët po lëviznin me motor kanë qëlluar 4 herë me armë zjarri pistoletë dhe pa silenciator në drejtim të Hasanaliajt.
Për pasojë, ka mbetur i plagosur 48 vjeçari i cili eshte transportuar menjëherë për në spitalin e Traumës. Burime bëjnë të ditur se Hasanaliaj, si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së madhe të gjakut, është në vdekje klinike.
Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes nisi punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, dhe pas rreth 1 orë e 30 minuta, arriti të vërë në pranga, në dalje të kryeqytetit, një nga atentatorët. Ai mësohet se është nga Shkodra ndërsa nuk dihet ende identiteti i tij.
Nga hetimet e para bëhet e ditur se pista kryesore ku po hetohet është ajo e larjeve të hesapeve pasi, 48 vjeçari i plagosur, akuzohet për vrasjen e 4 personave, vjedhje me dhunë, si dhe falsifikim dokumentesh.
Ndërkohë vijon puna e policisë për arrestimin edhe të atentatorit tjetër, që mësohet se është larguar në drejtim të Kasharit, ku edhe është gjetur motori me të cilin atentatorët po lëviznin.
Add new comment