Arvizu: SHBA mendon se nuk ka përparim në luftën ndaj korrupsionit zyrtar

(E PERDITESUAR)- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u ka bërë apel prokurorëve të rrisin luftën kundër korrupsionit.
Duke folur në seminarin “Lufta Kundër Korrupsionit Gjyqësor dhe Politik,” në Prokurorinë e Tiranës, diplomati amerikan theksoi se nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar.
“Meqenëse parlamenti në shtator miratoi një amendament kushtetues që reformonte dhe hiqte disa imunitete për një numër zyrtarësh edhe në gjyqësor, tani është koha për ta rrokur këtë nismë dhe në luftën kundër korrupsionit zyrtar. Këto seminare janë shumë praktike. Synojnë t’ju japin mjetet për të hetuar, ndjekur penalisht korrupsionin, por edhe që, duke bërë këtë, shpresojmë të punojmë nëpërmjet jush për të rritur nivelin e besimit të publikut se mund të bëhet më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit.
Z. Llalla ka qenë në këtë post prej një kohe shumë të shkurtër. Mendoj se fillimi është i mbarë. Dua t’ju falenderoj publikisht që keni punuar shumë ngushtë me ne. Kur e vizitova për herë të parë në këtë post, i thashë: urime dhe kam dy lajme, një të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është që ndihemi sikur njihemi prej punës tuaj në ILDKP; keni emër të mirë; dukeni personi i duhur për postin. Lajmi i keq është që keni marrë një post shumë të vështirë. Shpresoj të më falni që tregohem i çiltër dhe i drejtpërdrejtë, por ndjej se si mik, më duhet ta them.
Sa herë që ka një fjalim, qoftë nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton apo nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, në çdo fjalim, do ketë një koment për korrupsionin zyrtar. Nuk është veç një frazë për të kaluar radhën; nuk është njësoj si të thuash ‘mirëmëngjes’ apo ‘faleminderit.’ Ka një arsye pse ajo frazë është aty. Dhe arsyeja është që pavarësisht përpjekjeve të mira, përpjekjeve më të mira nga shumë persona të përkushtuar në prokurori, gjyqësor, polici; ka shumë përpjekje individuale të përgëzueshme, të lavdërueshme, por, në përgjithësi, nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, po bëhet përparim i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Mendoj se ky faktor si çdo faktor tjetër përbën pengesë për hyrjen në BE dhe vërtet është i papranueshëm për një vend si Shqipëria që ka të drejtën legjitime të aspirojë të bëhet pjesë e BE-së,” tha Arvizu.
“Ndaj, me ardhjen e Z. Llalla, nëpërmjet këtyre seminareve, nëpërmjet përpjekjeve të përkushtuara në vazhdim nga ju, shpresoj që në javët e ardhshme, në muajt e ardhshëm, do të shohim më shumë arrestime, ndjekje penale, e dënime specifike që synojnë luftën kundër korrupsionit dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Është vërtet absolutisht kritike që të bëhet kjo për ta bindur popullin shqiptar që ka përparim në këtë luftë kundër këtyre të këqijave që po i kushtojnë vërtet shoqërisë,” vijoi Arvizu.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është shprehur se korrupsioni është pengesë e kapërcyeshme por shtoi se kufizimi i imunitetit përbën një lehtësi për hetimin e prokurorisë.
TEMA
Add new comment