Arrihet marrëveshje me Iranin, largohen hijet e luftës

Fituesi kryesor i kësaj marrëveshjeje është padyshim populli iranian. Të ashtuquajturat sanksione inteligjente do të prekin kryesisht pushtetmbajtësit në Iran. Sanksionet ndaj eksporteve të naftës dhe gazit pritet të tregojë efekt dhe në këtë mënyrë t’i mbyllin në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme burimet e parave këtij shteti teokratik. Dhe sanksionet e kanë arritur në fakt këtë qëllim në masë të madhe. Por këto sanksione inteligjente ndaj Iranit kanë shkaktuar shumë më tepër dëm nga sa qe planifikuar dhe ajo që ka vujatur më shumë prej prej këtyre saknsioneve qe popullsia.
Ndoshta ndonjë iranian mund të ishte pro programit bërthamor për shkak të një krenarie kombëtare, e cila është e pashpjegueshme. Por kur ke uri, nuk mund të hash në vend të bukës gjithë kohës revani, që është e dëmshme për shëndetin. Populli iranian donte të dilte shpejt nga izolimi, duke shpresuar për përmirësimin e gjendjes ekonomike. Përmes pezullimit apo madje dhe heqjes së sanksioneve, ai u përpoq për hapje politike, duke kërkuar më shumë të drejta dhe më shumë liri. Zgjedhja e Hassan Rohanit si president ishte produkt i nevojave të tilla. Populli iranian i lidhi shpresat me mrekullinë e Gjenevës.
Edhe regjimi iranian është në mesin e fituesve. Sanksionet nuk ishin në thelb asgjë më shumë se një vdekje me këste. Sulmet terroriste, si ai i fundit në Bejrut, rritja e tensioneve midis qeverisë dhe pakicave etnike dhe fetare, si kurdët iranianë në zonën e Balutshenit, pakënaqësia e përgjithshme e popullasisë, përzjerja e fshehtë në punët e brendshme të shteteve fqinjë dhe gjëja më e rëndësishme, rreziku i një ndërhyrjeje ushtarake – të gjitha këto ishin arsyet e vërteta për ndryshimin e kursit të regjimit. Pra, mund të thuhet se marrëveshja e përbashkët për programin bërthamor do të thotë për pushtetmbajësit në Iran një sigurim më të mirë jete dhe çon në vazhdimin e sundimit të tyre.
Kusht është që Rohani të zbatojë dhe të vërë në jetë premtimet që bëri gjatë fushatës elektorale. Një marrëveshje me Iranin ishte e rëndësishme edhe për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Bota nuk mund ta përballojë një luftë të re në Lindjen e Mesme. E ardhmja e Afganistanit, pas tërheqjes së trupave të huaja është e pasigurt, islamistët kanë gjetur si strehë të re Pakistanin, situata e sigurisë në Irak mbetet e pasigurt, dhe lufta në Siri vazhdon, pema e Pranverës Arabe dha vetëm fruta të hidhura. Ndërmarrja e një lufte të re në një rajon të tillë, do të ishte çmenduri. Një Jo e qartë ndaj luftës pritet të jetë forca shtytëse më e arsyeshme për një zgjidhje paqësore dhe diplomatike të konfliktit bërthamor me Iranin.
Po ka edhe shumë që kanë përfituar nga konflikti për programin bërthamor apo nga embargoja ndaj Iranit. Naftë dhe gaz të lirë, eksporte pjesësh këmbimi dhe mallra si dhe këmbimi i valutave janë vetëm disa shembuj. Turqia, Rusia, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe madje edhe Afganistani kanë përfituar me sa duket nga momenti. Edhe pse vende të tilla nuk janë të kënaqura me normalizimin e mundshëm përfundimtar të marrëdhënieve mes “satanit të madh” dhe e “boshtit të së keqes”, ato gjithashtu nuk duan një luftë të re në rajon. Edhe Izraeli nuk dëshiron luftë, por vetëm garanci sigurie.
Marrëveshja e përbashkët është vetëm hapi i parë drejt zgjidhjes së konfliktit bërthamor me Iranin. Është e vërtetë se kjo marrëveshje nuk është ilaçi për të gjitha problemet. Sigurisht qe tani nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shpresojnë për një fund të lumtur në mosmarrëveshjen bërthamore me Iranin. Situata është ende shumë e paqëndrueshme dhe afrimi mes Iranit dhe Perëndimit nuk shkakton tek të gjithë entuziazëm. Por kush priste gjë tjetër?
Ndërkohë dje negociatorët iranianë dhe ata ndërkombëtarë mbyllën marrëveshjen pas gati një dekadë mospajtimesh lidhur me programin bërthamor të Iranit. Ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve më të fuqishme të botës qëndruan krah për krah me homologun e tyre iranian dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian për të njoftuar marrëveshjen pas orës tre të mëngjesit, duke vazhduar me shtrëngime duarsh dhe përqafime. Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama foli për rëndësinë e marrëveshjes. “Diplomacia hapi një rrugë të re drejt një bote më të sigurt: një e ardhme në të cilën ne mund të verifikojmë që programi bërthamor i Iranit të jetë paqësor dhe që të mos të mund të ndërtojë një armë bërthamore.” Një mospajtim kyç që vonoi marrëveshjen ishte pretendimi i Iranit për të drejtën e pasurimit të uraniumit, për të cilën Shtetet e Bashkuara thonë se nuk ekziston për asnjë vend. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i cili shkoi në Gjenevë të premten për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes, tha se ajo nuk parashikon një të drejtë të tillë. “Ky hap i parë nuk thotë se Irani ka të drejtën e pasurimit të uraniumit. Pavarësisht interpretimeve që i janë bërë, kjo nuk përfshihet në këtë dokument.”
Ministri i Jashtëm iranian Mohammed Javad Zarif foli me entuziazëm për të drejtën për pasurimin e uraniumit. Por fjalimi i tij tregoi se marrëveshja njeh programin e Iranit, por jo ndonjë të drejtë. “Shumë herë, të paktën dy herë, ka qenë shumë i qartë pranimi i faktit se Irani do të ketë një program për pasurimin. Dhe ne besojmë se kjo është e drejta jonë. Ne po e ushtrojmë këtë të drejtë dhe kërkojmë vetëm respektimin e kësaj të drejte.”
Sipas një përmbledhjeje të marrëveshjes, e dhënë nga Shtetet e Bashkuara, Irani do të duhet të ngrijë aspekte kyçe të programit të tij bërthamor me aplikime të mundshme ushtarake, të eliminojë stokun e uraniumit të pasururar në shkallë që i afrohet armëve dhe të lejojë inspektime të brendshme. Për këtë, komuniteti ndërkombëtar do të lejojë lehtësime të sanksioneve që kapin vlerën e disa miliarda dollarëve, por duke mbajtur në zbatim sanksionet më të dëmshme për eksportet e naftës të Iranit dhe sistemin e tij bankar.
Por ekspertët thonë se me rëndësi tashmë mbetet zbatimi i marrëveshjes, veçanësisht ndërkohë që negociatorët do të punojnë për t’iu përmbajtur një afati prej gjashtë muajsh në arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë që do të garantonte se Irani nuk do të ndërtojë një bombë bërthamore dhe që do të mund t’i jepte fund të gjitha sanksioneve ndaj tij, diçka që diplomatët thonë se do të jetë edhe më e vështirë për t’u arritur sesa këta hapa të parë.
Mapo
Add new comment