Arka bosh, qeveria shtyn për 2014-n ngritjen e institucioneve të reja

Postuar në 28 Tetor, 2013 03:00

Agjencia

PS kishte premtuar ngritjen menjëherë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, përgjegjëse për planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e bregdetit

Qendra

Në kuadër të masave të mbrojtjes së qytetarëve ishte parashikuar

krijimi i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Trafikut, me mision sigurimin e jetës së shqiptarëve

Banka

Në programin e PS-së gjen premtimin e krijimit të një Banke të specializuar për sa i përket zhvillimit rural në vend. Kjo nismë nuk ka gjetur ende diskutim.

Pronat

Mazhoranca ka premtuar bashkimin e të gjitha agjencive që operojnë me pronat në vend në një agjenci të vetme me fuqi dhe me përgjegjësi të plota.

Forcimi

Rritja dhe forcimi i kapaciteteve administrative ishte premtuar dhe për Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Kjo nuk ka ndodhur ende për çështje të buxhetit.

Nisma si ajo e Agjencisë Kombëtare e Bregdetit, ende pa u miratuar

Fatjona Mejdini

Arka bosh e shtetit e përmendur shumë herë nga Kryeministri Edi Rama gjatë 40 ditëve të para të qeverisjes duket se i ka sjellë kabinetit të ri probleme të paparashikueshme më parë. Këto probleme lidhen pikërisht me mospasjen e mundësisë së krijimit të institucioneve të reja, të cilat janë premtuar nga Rama për t’u ngritur në ditët e para të qeverisë. Burime nga Këshilli i Ministrave bëjnë të ditur se mungesa e fondeve e bën të pamundur për këtë vit buxhetor ngritjen dhe funksionimin normal të disa institucioneve të reja, të cilat parashikoheshin të ishin një ndihmë e madhe në kuadër të zbatimit të programit qeverisës. I deklaruar si një institucion shumë i rëndësishëm për procesin e shembjes së ndërtimeve pa leje dhe hartimin e planeve studiuese në bregdet, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ende nuk është ngritur. Si arsye kryesore në këtë proces jepet mungesave e fondeve në buxhet për vitin 2013, të cilat do të mundësonin një funksionim normal të kësaj strukture të re. Por nëse i hedh një sy programit elektoral të socialistëve shikon se janë dhe një sërë institucionesh të tjera të premtuara për t’u ngritur, por që duket se do të realizohen dhe do të kenë një funksionim normal vetëm përmes buxhetit të vitit 2014. Krijimi i një agjencie të vetme të fuqishme dhe me përgjegjësi të plotë për çështjen e pronave, një banke të specializuar për zhvillimin rural në vend, Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Trafikut, rritjes së kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore e shumë të tjera janë nisma të mbetura në letër për momentin, sepse aktualisht nuk kanë mundësi të zbatohen në praktikë. Tri ditë më parë, në Kuvend, u miratua akti normativ i qeverisë për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2013. Ndryshimet u kundërshtuan ashpër nga opozita me pretendimin se më këtë vendim, qeveria “Rama: rrezikon ta zhysë vendin në recesion. Por, përfaqësuesit e mazhorancës këmbëngulën se ndryshimet janë të nevojshme, nisur nga gjendja e vështirë në të cilën sipas tyre qeveria e djeshme e ka lënë arkën e shtetit. Ndërkaq ministritë kanë nisur të hedhin në letër propozimet e tyre për buxhetin e vitit 2014, i cili pritet të kalojë për miratim në fundin e muajit dhjetor.

Institucionet

Mazhoranca e re e kishte parashikuar me hyrjen në zyrat e qeverisë krijimin e një sërë institucionesh të reja, të cilat do ta ndihmonin atë të zbatonte programin elektoral dhe qeverisës. Ndër këto institucione të parashikuara për t’u ngritur pa humbur kohë ishte Agjencia Kombëtare e Bregdetit, një bankë e specializuar për zhvillimin rural, krijimi i një agjencie me kompetenca të plota për çështjen e pronave, një Qendër Kombëtare për Kontrollin e Trafikut Rrugor, rritja e kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ringritja e Qendrës Shkencore të Naftës dhe Gazit dhe disa institucione të tjera. Por në 40 ditët e para të qeverisë, ende nuk është marrë asnjë vendim për ngritjen e këtyre institucioneve, nisur nga fakti se të ardhurat e mbetura në buxhet për vitin 2013 nuk e mundësojnë këtë gjë.

Kriza

Vetëm me votat e mazhorancës, Kuvendi votoi tri ditë më parë draftin i cili i hapte rrugë ndryshimeve buxhetore për dy muajt e mbetur të vitit 2013. Kjo nismë u këndërshtua ashpër nga ana e përfaqësuesve të opozitës, por ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se ajo ishte domosdoshmëri në kushtet e një arke pothuajse bosh. Sipas tij, për qeverinë dy janë shqetësimet kryesore, mbajtja nën kontroll e financave dhe ulja e borxhit. Sipas ministrit, akti normativ shkurton me rreth 38.8 miliardë lekë buxhetin fillestar të këtij viti, duke u mbyllur me 321 miliardë lekë ose 23.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Fondet

Buxheti

Kryeministri Rama e ka konsideruar si alarmante situatën me financat në vend, duke theksuar se situata është shumë e vështirë.

Përgjegjësia

Ministrat e qeverisë “Rama” kanë nisur bërjen publike të emrave dhe paditë penale ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të administratës që kanë abuzuar me fondet.

Emergjencat

Me një arkë të boshatisur, vendi do ta ketë të vështirë të përballojë me sukses në dy muajt e ardhshëm situata të emergjencës kombëtare.

Ndihma

Kryeministri Rama, por dhe ministri i Financave kanë nisur një fushatë në kërkim të kredive me kushte të favorshme nga institucionet financiare dhe vendet partnere.

Këshilli

Pavarësisht vështirëve në krijimin e institucioneve dhe këshillave të reja, Rama nuk ka nguruar të mbledhë aktorët kryesorë të atij që do të quhet Këshilli Ekonomik Kombëtar. Për këtë strukturë është bërë gati dhe një draft ligjor, i cili po konsultohet me palët e interesit

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.