Apeli, sot vendimi i Prokurorisë për ’21 janarin’

TIRANE- Sot, Prokuroria e Tiranës pritet të marrë një vendim në lidhje me kohën e apelimit të vendimit që dha Gjykata për çështjen e 21 janarit. Prokurorët tregohen të rezervuar në hapat që do të ndërmarrin, ndërkohë që është mësuar se sot do të merret një vendim nëse ankimi në Apel do të bëhet me vendimin e shkurtuar të Gjykatës, apo do të pritet deri në zbardhjen e plotë të verdiktit që u dha pafajësinë ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.
Ndarja ka qenë e qartë që në ditën e nesërme të zbardhjes së vendimit: prokurorët e çështjes ishin për të apeluar menjëherë, madje kanë nisur punën me argumentet që do të paraqesin, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme mbështet qëndrimin për të pritur zbardhjen e vendimit të plotë të Gjykatës së Tiranës dhe më pas marrjen e hapave të mëtejshëm.
Dy prokurorët e çështjes mësohet se janë të mendimit që çështja të apelohet mbi bazën e diapozitivit që lexoi Gjykata në seancë. Sipas procedurës, ata janë të mendimit që organi i akuzës, t’i rezervojë të drejtën vetes për të paraqitur argumente shtesë në Apel, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të zbardhë vendimin, një praktikë kjo e ndjekur edhe më parë nga Prokuroria.
PANORAMA
Add new comment