Anëtarët e gjykatave, Nishani takime me partitë parlamentare, nuk fton FRD

Postuar në 18 Mars, 2013 04:13

Kreu i shtetit, Bujar Nishani nis sot konsultimet me faktorin politik parlamentar për të zgjedhur 4 emrat e juristëve që do të zgjidhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë. Bëhet fjalë për emrat që do t’i shkojnë për votim Kuvendit për të zëvendësuar 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe 1 anëtar të Gjykatës së Lartë. Më konkretisht bëhet fjalë për emrat: Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza, të cilëve u ka mbaruar prej më shumë se një viti mandati si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për emrin e Shpresa Beçajt, kryetares së Gjykatës së Lartë, që i ka mbaruar mandati i anëtares së kësaj gjykate. Kështu, Presidenca ka bërë të ditur dhe axhendën e takimeve që ka programuar kreu i shtetit të zhvillojë sot me përfaqësuesit e partive parlamentare. Ajo fillon në orën 10 me takimin me kreun e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, për të vijuar më pas në orën 11 me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Në mesditë kreu i shtetit ka programuar takimin me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka dhe më pas në çdo orë me kryetarët e partive parlamentare të PR-së, Fatmir Mediu, të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe të PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Edhe kësaj here Presidenti nuk ka ftuar përfaqësuesin e Partisë Fryma e Re Demokratike, pavarësisht se ajo përfaqësohet me një deputet në Kuvend. Të gjithë të ftuarit kanë konfirmuar praninë e tyre në këto takime. Siç bën të ditur njoftimi i Presidencës, kreu i shtetit ka thirrur këto takime për të diskutuar mbi kriteret dhe performancën që duhet të ketë anëtari i ri i Gjykatës së Lartë dhe anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese, dhe jo për emrat e tyre.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.