Ambasadorja franceze Moro: Emigrantët ilegalë në BE e dinë mirë çfarë i pret

Postuar në 12 Mars, 2013 14:03

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Moro zhvilluan një vizitë pune sot në Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas në ambjentet e kontrollit të Pikës së Kalimit Kufitar në Rinas, mbi masat e marra për parandalimin e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian.

Burgaj: Shqiptarët i meritojnë vizat

“Ne kemi tashmë oficerë policie të mirëtrajnuar, një teknologji shumë të avancuar dhe ambasadorja e pa mënyrën e funksionimit të saj. E sigurova, që për çdo person procedurat janë standarde dhe nuk do të tolerojmë absolutisht për sa i përket kësaj çështjeje. Shqiptarët do të lëvizin të lirë në zonën Shengen. E meriojnë një gjë të tillë, sepse janë miliona, që e kanë respektuar dhe për një pakicë, për një numër të vogël, nuk mund të penalizohet asnjë shqiptar në zonën Shengen” – tha Burgaj. Më tej, Burgaj shtoi se Policia e Shtetit u ofron të gjitha vendeve Shengen bashkëpunimin e duhur për të ulur në minimum numrin e azilantëve.

Moro: Ata që kërkojnë azil e dinë mirë çfarë i pret

Ndërkohë ambasadorja Christine Moro falënderoi autoritetet e Policisë së Shtetit për këtë vizite shumë interesante, që i krijuan asaj mundësinë të njohë nga afër profesionalizimin dhe motivimin e funksionarëve të policisë.

“Bashkëpunimi me autoritetet e policisë shqiptare është i shkëlqyeshëm. Ne punojmë së bashku kundër trafiqeve të paligjshme, njëkohësisht edhe kundër grupeve kriminale në këtë fushë. Ne punojmë ngushtësisht me policinë shqiptare për të kthyer të gjithë shtetasit shqiptar, të cilët qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin tonë”- tha gjatë fjalës së saj ambasadorja.

Duke iu referuar rasteve të konstatuara të qëndrimeve ilegale të shtetasve shqiptarë në Francë, ambasadorja e Francës  C.Moro ndër të tjera tha se, duhet që këta shkelës të ligjit ta dinë mirë se çfarë i pret në rastet, që nuk zbatojnë ligjet në vendet europiane: së pari është kthimi i detyrueshëm i tyre në Shqipëri; së dyti ata nuk do të kenë kurrë mundësinë, që për një periudhë 5-vjeçare të udhëtojnë në Europë; dhe së treti, që nëse kanë bërë shkelje në territorin e Francës dhe kanë lidhje me Shqipërinë, sigurisht ata mund të ndiqen penalisht edhe në Shqipëri për shkeljet e bëra në vendet europiane.

Më tej ambasadorja shtoi se është diçka e panevojshme, që këta shkelës të pajisen me karta të falsifikuara, sepse dihet tashmë, që të gjithë policitë e vendeve evropiane janë të pajisura shumë mirë dhe kanë formimin e duhur për këtë gjë. Është e panevojshme njëkohësisht, që të gjithë këta shtetas të ndryshojnë edhe identitetin e tyre, sepse ka shkëmbim informacioni dhe ka mënyra për ta bllokuar këtë gjë.

Protokoll Ripranimi

Gjithashtu ambasadorja tha se, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë do të nënshkruhet edhe Protokolli i Ripranimit, që është në kuadër të Protokollit që Bashkimi Evropian ka nënshkruar me Shqipërinë dhe sigurisht ky protokoll do të krijojë mundësinë, që bashkëpunimi ynë të jetë më i frytshëm dhe më rezultativ. 
Interesimit të gazetarëve, gjatë konferencës së zhvilluar në ambientet e Aeroportit Nënë Tereza Rinas, në lidhje me aspekte të punës së policisë kufitare në të këtë drejtim, Burgaj iu përgjigj duke bërë një ekspoze të masa të marra nga policia, si kontrollet e vijës së parë, kalim për kontroll në vijën e dytë për personat e dyshuar, krijimi i data-base për të gjithë personat e kthyer nga vendet e Bashkimit Europian, verifikimi i personave, që ndryshojnë gjeneralitetet, nëpërmjet kartës së identitetit, pasaportës biometrike, ekzaminimet e menjëhershme të dokumentave me pajisje teknologjike të përparuara, fletëpalosje me rregullat për lëvizjen e lirë në zonën Shengen, etj.

Ndërsa në lidhje detyrimet, që i lindin Policisë së Shtetit pas nënshkrimit të Protokollit për Marrëveshjen e Ripranimit me Francën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj shpjegoi se Policia e Shtetit është gatshme të bashkëpunojmë në çdo kohë me Francën, siç kemi vepruar me Belgjikën dhe do të veprojmë së shpejti me një shtet tjetër, dhe me cilindo shtet që është i interesuar për të bashkëpunuar, në kohën më të shkurtër të mundshme, për t’i kthyer të gjitha ata, që shkelin procedurat, lëvizjen e lirë, dhe për të marrë penalitetet, që ata meritojnë.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.