Alfred Peza Senatorët e PS? Qeverisja do të ketë nevojë për energji të reja dhe përvoja të vjetra

Alfred Peza përkundër zërave të përhapur në momentin kur ai hyri në PS, thotë se nuk ka pritur ndonjë post ministri nga Rama. Arsyeja?
I ka kërkuar vetë kryetarit që të mos përfshihej në qeverinë e re, menjëherë pas zgjedhjeve. Gjithsesi shtegu mbetet i hapur, jo vetëm për të, por edhe për peshat e rënda politike të PS, të cilët nuk u përshinë në bllok në kabinetin e propozuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Mbetet i hapur pasi sipas Pezës, qeverisja e vendit nuk do të jetë e lehtë. Nënkupton se ajo do të ndryshojë gjatë rrugës si nevojë për të pasur energji të reja dhe përvoja të vjetra.
Tani që perdja e zgjedhjeve është ulur dhe ngjarjet janë futur në rrjedhën normale, cili është bilanci personal që bëni?
A ia vlejti kalimi nga media si një zë influent i saj, në politikë? Garën e parë elektorale si kandidat për deputet i PS në zgjedhje, e konsideroj një eksperiencë unike. Bilanci është më shumë se pozitiv: pavarësisht se isha i renditur në një vend të sigurt të listës së kandidatëve për deputet të PS në qarkun e Elbasanit, garova shumë fort dhe fitova me votat e qytetarëve duke nxjerrë nga politika kandidatin e PD që kisha përballë; kontribuova për rritjen e ndjeshme të votave të fituara nga PS në rrethin e Peqinit në raport me 4 vjet më parë; e nxora PS forcë të parë politike në një nga zonat më të vështira në Shqipëri, ku kandidatët rivalë, i gjithë shteti dhe strukturat e tij, pushteti qendror e ai lokal u bënë një, kundër meje; i riktheva PS fitoren për herë të parë pas shumë e shumë vitesh në Peqin. Për të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera, sigurisht që kalimi në politikë, si fillim ia vlejti. Aq më tepër që hyj tek ajo kategori njerëzish që mendohen shumë kur marrin një vendim të rëndësishëm për jetën. Pasi unë vendos, nuk njoh më kthime pas. Gjatë 18 viteve karrierë në gazetari, kurrë nuk punova dy herë në të njëjtën media. Sepse dua të realizohem duke provuar eksperienca të reja, ndaj shoh vetëm përpara. Duke luftuar çdo ditë me dashuri, durim dhe pasion për të arritur në pikën që i kam caktuar vetes në horizont. Kur fillova gazetarinë, askush nuk më njihte. Tani që hyra në politikë, startova siç thoni ju, si një zë influent i medias. Kjo, fitorja e garës sime të parë elektorale, por mbi të gjitha fitorja e opozitës së bashkuar me 83 mandate në zgjedhje, më bëjnë të besoj se hodha hapin e duhur, në kohën dhe në vendin e duhur. Jam i lumtur që isha Kryeredaktori i opozitës më të madhe, gazetës “Koha Jonë” në qershorin e 1997, kur u rrëzua Saliu i Parë. Tani, pas 15 vjetësh, që u bëra kandidati i parë për deputet i PS, kur rrëzuam me votë Saliun e Dytë. Duke dhënë ndihmën time modeste, për të hedhur poshtë profecinë e Namik Hotit, për mënyrën e ikjes së Sali Berishës nga pushteti. Unë isha aty, kur për herë të parë në histori, Shqipëria u fut në normalitet demokratik, pasi realizoi për herë të dytë radhazi (2005, 2013) rotacionin normal të pushtetit me votë. Si gazetar keni raportuar dhe edituar për një kohë të gjatë lajme nga fushatat dhe proceset elektorale, ndërsa më 23 qershor ishit subjekt i tyre.
A ka ndryshim mes asaj që i përcillet opinionit publik mbi zgjedhjet dhe asaj që shihet brenda tyre?
Sigurisht që ka shumë ndryshime mes asaj që ndodh realisht në terren dhe asaj çfarë mediat raportojnë në lidhje me fushatën elektorale. Për shkak se kemi redaksi të varfra, mungesë profesionalizmi dhe politika editoriale të ndikuara apo diktuara nga interesat politiko- ekonomike të botuesve, gazetarët nuk arrijnë të futen thellë për të bërë skanerin e procesit. Por mjaftohen me raportime krejt sipërfaqësore, shpeshherë shumë larg të vërtetave, nevojës dhe interesit publik. Treguesi më i mirë është dështimi spektakolar i mediave për të parashikuar humbjen e thellë të mazhorancës qeverisëse në këto zgjedhje. Duke treguar veç të tjerash, edhe kapjen e saj nga pushteti. Në ditën e prezantimit tuaj si deputet i PS, Rama ka thënë se tani, Peza nuk do të jetë më vëzhgues nga kolltuku i analistit, por një pjesëtar i ekipit të Rilindjes. Ndërsa ju e motivuat hyrjen në politikë me ambicien për të ndryshuar gjërat, pasi politika e bën të mundur këtë.
A mendoni njësoj pas disa muajve, kur politika është e dominuar nga 2-3 njerëz?
Lenien në politikë e konceptoj si një mundësi për t’iu shërbyer qytetarëve. Jo vetëm nëpërmjet procesit ligjbërës në Parlament. Në të kaluarën, modeli i deputetit në rrethe ishte ai i Drejtorit të Kuadrit në rastin më të mirë, ose i Bajraktarit të zonës, në rastin më të keq. Në fakt, deputeti zgjidhet nga qytetarët si njeriu që do të ndërlidhë zonën e tyre elektorale me kryeqytetin. Për të njohur, identifikuar dhe çuar hallet dhe problemet e njerëzve në qeveri dhe shtet, e për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre nëpërmjet implementimit të politikave të qeverisë në terren, mbi bazën e sistemit të meritokracisë. Nëpërmjet sigurimit të fondeve, projekteve dhe investimeve, për të sjellë progres, zhvillim, hapje vendesh pune, përmirësimin e jetesës dhe infrastrukturës etj. Nëse një deputet e bën punën e tij me përkushtim, me pasion dhe vizion, atëherë ai me siguri që arrin të ndikojë fuqimisht në ndryshimin e gjërave në zonën e tij. Për rrjedhojë, nëse secili e bën shkëlqyeshëm punën në çdo zonë elektorale të vendit, atëherë Shqipëria do të ndryshojë. E për këtë, nuk është nevoja të jesh domosdoshmërisht Edi Rama, Ilir Meta apo Sali Berisha…Më falni, Lul Basha. Megjithëse kam kritikat dhe rezervat e mia për sistemin elektoral në Shqipëri, fatkeqësisht, vazhdojmë të vuajmë nga sindroma e të qenit një popull me 3 milionë kryeministra… Ky vend do të ndryshojë rrënjësisht, atëherë kur secili prej nesh do të bëjë shumë mirë punën e tij, kudo që të ndodhet në piramidën shoqërore. Në Shqipëri është vërtetuar se biznesi më fitimprurës është politika. Sipas jush, cila është fusha më e fuqishme, politika apo media? Po ajo ku ka më shumë liri? Në të gjithë botën demokratike, media konsiderohet si një pushtet më vete, krahas pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe atij të drejtësisë. Por,fatkeqësisht në Shqipëri, ai që duhet të ishte pushteti i katërt, është shndërruar në vazhdim të partive politike, me mjete mediatike. Pra, media, në vend të misionit të saj për të qenë një biznes i informimit dhe i argëtimit të opinionit publik, është shndërruar në masën më të madhe, në një rrip transmesioni i pushtetit politik. Media e ka humbur besueshmërinë dhe peshën në opinionin publik. Duke dalë nga tregu dhe rregullat e saj të kërkesë-ofertës. Duke hequr dorë në luftërat dhe betejat e saj për të drejtën, për të vërtetën në interes të opinionit publik. Modeli i suksesit në media, u bë modeli i atij që i shërben me zell dhe qorrazi pushtetit, duke pritur që t’i fitojë zemrën qeverisë për t’u shpërblyer për këtë, me para reklamash të pamerituara, me prona, tendera, privatizime, ndikim në vendimmarrjet politike, etj. Respekti dhe përkulja ime, shkon për të gjitha ato media dhe gazetarë (megjithëse të pakët në numër) që arritën të rezistonin për të mbajtur të ndezur flakën e lirisë profesionale. Në këto kushte, politika duket të jetë më e fuqishme se media sot në Shqipëri. Por, siç tregoi edhe 23 qershori, qeveria dhe mazhoranca munden më lehtë duke patur një media të dobët, të shitur dhe të pashitshme. Abraham Lincoln thotë: “Ata që u mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë atë për veten e tyre”. Ndaj, qeveria e re do të jetë aq e fuqishme nesër, sa do të ketë përballë një media të lirë, profesionale dhe të pasur. Ç’rreziqe duhet të shmangin Rama e Meta në bashkëqeverisje, për të mos rënë në sindromën e qeverisë Berisha, ku ministrat u shndërruan në një minikabinet brenda kabinetit? Qeveria jonë me Ilir Metën, duhet të shmangë gabimin fatal që bëri qeveria e Berishës me të, duke ndërtuar një kabinet me arkitekturë vertikale. Ku LSI mori ministritë që i takuan, duke emëruar nga ministri, deri tek pastruesja dhe punëtori më i thjeshtë i zyrës më të parëndësishme. Përkundër kësaj, qeveria jonë duhet te jetë me arkitekturë horizontale, ku të ndërthuren dhe harmonizohen në të gjitha dikasteret dhe në të gjitha hallkat, vlerat profesionale e njerëzore, programet dhe idetë e përbashkëta, në funksion të zhvillimit dhe integrimit të vendit.
Pyetja që bëjnë të gjithë pas zgjedhjeve dhe pas shpalljes së qeverisë së re është: Çfarë ndryshimi mund të ndodhë kur tre nga ministrat e Ramës kanë qenë 3 muaj më parë ministrat e Berishës?
Nuk e kam hasur ndonjëherë këtë pyetje, në takimet që bëj me shumë njerëz çdo ditë. Aq më pak kur bëhet fjalë për më pak se 10% të ministrave të qeverisë. Megjithatë, edhe Berisha kur ndërtoi qeverinë më 2005 kishte në kabinet ministra që kanë qenë pjesë e qeverive së PD përgjatë 1992- 1997 apo të qeverive të PS përgjatë 1997- 2005 dhe askush nuk e bëri këtë pyetje. Sikundër më 2009, Berisha kishte në kabinet një ish kryeministër socialist, e kështu me radhë. Ky është një fenomen që ndodh në çdo qeveri të botës demokratike. Shembuj të tillë në Italinë apo Greqinë fqinje, mund të gjenden me duzina. Sepse qeveritë ndryshojnë dhe politikanët duke qenë profesionistë dhe për një kohë të gjatë në Parlament, bëhen pjesë e qeverive që ndryshojnë, për t’i dhënë programe, impulse, pjekuri dhe ritme të reja qeverisjeve. Pas shpalljes së kabinetit të projektuar “Rama”, ajo që ra në sy ishte se shumë ministra jo vetëm janë të rinj në moshë, por edhe në eksperiencë.
Nisur nga anëtarët e ekipit, si e shikoni ju qeverinë e 4 viteve të ardhshme: A krijon ky formacion shpresë për të bërë ndryshime të rëndësishme në vend?
Kam dëgjuar shumë teori dhe komente këto ditë rreth përbërjes së qeverisë Rama. Dua të them se për mua, është një kabinet shumë i mirë, i ndërtuar si një ekip kompakt dhe i harmonizuar në moshë, ekspertizë dhe eksperiencë për të realizuar një program ambicioz si ai Për një Rilindje Shqiptare, apo për Një Shqipëri Europiane. Unë nuk besoj kurrë se kjo është një përpjekje e Edi Ramës për të ndërtuar pas fitores së 23 qershorit, një Parti Socialiste të vetën dhe aq më pak, një qeverisje për veten. Unë besoj se qeveria Rama është hapi i parë drejt ndërtimit të Partisë Socialiste të Re në një Shqipëri të Re të shekullit të 21. Ku deputetët dhe ministrat, nuk besoj se do të vlerësohen mbi bazën e moshës, por mbi bazën e kontributeve, vlerave dhe meritave. Sepse në politikë, nuk ka të rinj dhe të vjetër, por të mirë dhe të këqij. Rama këmbënguli se kjo nuk është qeveri teknike. Por po ta shohësh dhe krahasosh me qeverinë e mëparshme, është shumë larg të qenit, politike…
Si mund të jetë teknike, një qeveri e dalë nga një proces politik si ai i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe nga një mazhorancë me 83 nga 140 mandatet e Parlamentit të ri? Një kabinet që ka në përbërje mbi 90% të përbërjes së saj, njerëz të zgjedhur me votën e qytetarëve?
Nëse qeveri politike, konsiderohet një kabinet që ka në përbërje vetëm emra që mbajnë postet më të larta politike të partisë, atëherë këtu ka një keqkuptim të madh. Sepse i bie që Kryesia apo Sekretariati i Partisë gjatë qenies së PS në opozitë, duhet të konsideroheshin si qeveri hije. Në Shqipëri, tradita, sistemi ynë elektoral dhe modeli ynë kushtetues, nuk favorizojnë si në Britani për shembull, ndërtimin e qeverive hije të cilat votëbesohen ditën e zgjedhjeve për të marë në dorë fatet e qeverisjes së vendit.
Jashtë qeverie kanë mbetur Ben Blushi, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Valentin Leskaj , Blendi Klosi apo emra të tjerë me peshë politike në PS. Ç’mund të ndodhë me ta?
Sa të mundshme e shihni krijimin e një grupi të pakënaqurish në PS dhe, a mund të krijojnë ata një alternativë sfiduese për Ramën? Qeverisja e vendit për një mazhorancë si jona, nuk do të jetë një proces aq i lehtë sa duket në letër. Kemi përpara një garë të gjatë me pengesa, e cila herë pas here, është e detyrueshme të marrë formën e një stafete. E cila në momente të tjera, do të ketë nevojë me siguri për energji të reja dhe përvoja të vjetra. Emrat që përmendni ju dhe shumë të tjerë që nuk përmenden në këtë pyetje, janë asete të vyera të PS, të majtës dhe politikës shqiptare. Asnjë lider nuk ka luksin që të mos i marrë në konsideratë. Por, ka një keqkuptim tjetër të madh dhe një perceptim të gabuar për politikën dhe procesin e politikëbërjes në Shqipëri. Të jesh në politikë, të kontribuosh dhe të mbash pesha të mëdha në mbarëvajtjen e qeverisjes së vendit, nuk është e thënë që të jesh domosdoshmërisht pjesë e qeverisë. Sepse ekzekutivi është vetëm një aspekt i ushtrimit të pushtetit në mazhorancë. Qenia deputet në sallën e Kuvendit, drejtues grupi parlamentar, drejtues Parlamenti, komisionesh parlamentare, drejtues i strukturave të rëndësishme të partisë, janë gjithashtu detyra dhe funksione po aq të rëndësishme, në mos më tepër, sesa thjeshtë dhe vetëm qenia ministër ose jo. Në këto kushte, nuk shoh asgjë nga ato që ju pyesni, në horizontin e Partisë Socialiste.
Kapërcimi juaj nga media në politikë u shoqërua në atë kohë me zërat se ambiciet e Pezës nuk janë thjesht për një mandat deputeti, por për t’u sprovuar si anëtar i kabinetit Rama… Prisnit ju një post ministror përderisa latë një vend protagonist në media?
Ata që kanë përhapur këto zëra, thjeshtë tregojnë se sa pak më njohin. Kam qenë i vendosur që ditën e parë që kam hyrë në politikë, ta përjashtoja veten nga çdo mundësi për t’u bërë pjesë e qeverisë së re, menjëherë pas zgjedhjeve. Kam qenë unë ai që ia kam kërkuar këtë Edi Ramës dhe drejtuesve të tjerë të lartë të PS. Sepse unë u largova nga media, pasi dhashë dhe mora shumë prej saj, duke qenë në kulmin e karrierës sime. Më koshiencë të plotë. Për të filluar një etapë të re e të rëndësishme, në jetën dhe karrierën time. I bindur se kam përpara një rrugë të vështirë. Ndaj, për të shkuar sa më larg dhe sa më lart kësaj godine ndjellëse e plot kurthe me emrin politikë, mua më duhet që t’ia filloj nga themelet. Duke iu përkushtuar gjatë mandatit tim të parë, zgjedhësve dhe zonës sime elektorale; njohjes së Parlamentit dhe parlamentarizmit, njohjes së teknologjisë së prodhimit të ligjeve, funksionimin e komisioneve parlamentare, Grupit Parlamentar të PS, strukturës së PS, etj. Veprimi i parë që do të bëj pasi të marr mandatin e deputetit në Parlament, është të marr teserën e PS dhe të filloj jetën partiake nga baza, në një nga organizatat e saj. Nuk kam hyrë në politikë dhe nuk e pranova ofertën e PS dhe të Edi Ramës, në këmbim të një posti ministror. Por, në këmbim të mundësisë për të kontribuar, shërbyer dhe për t’u realizuar personalisht në një dimension të ri. Berisha kishte në kabinet një ish kryeministër socialist, e kështu me radhë. Ky është një fenomen që ndodh në çdo qeveri të botës demokratike. Shembuj të tillë në Italinë apo Greqinë fqinje, mund të gjenden me duzina .
Kë shihni ju si drejtues të grupit parlamentar të PS?
Zgjedhja e drejtuesit të grupit parlamentar të PS nuk është çështje e shijeve dhe preferencave të mia personale, apo kujtdo tjetri. Por, çështje e vendimmarrjes dhe e zgjedhjes së të gjithë deputetëve dhe e lidershipit të PS. Normalisht që është ende herët për të gjykuar qeverinë e re, por disa shenja mund të komentohen. Fjala vjen, disa prej tyre u kanë bërë ftesa në Facebook qytetarëve për të dhënë mendime se si e duan policinë, se si e duan bregdetin… Keni komente për këtë “fillim entuziast” të tyre? Edhe unë kam një pyetje për ju: Përse nuk ju bën përshtypje drejtimi i qeverise sot nga Sali Berisha nëpërmjet Facebook-ut, por një ftesë krejt e zakonshme e disa ministrave të rinj drejtuar qytetarëve, se si ata dëshirojnë që të qeverisen nesër? Pse nuk ju bën përshtypje që Kryeministrit të sotëm i duket vetja si Ban Ki Mon, duke thënë se komunikon me njerëzit nga 50 shtete nëpërmjet Facebookut? Por, ju bën kaq shumë përshtypje një anketë e ministrave të ardhshëm për qytetarët shqiptarë që i besuan votën e tyre? Megjithë rolin e pazëvendësueshëm të rrjeteve sociale, sondazheve dhe mjeteve të tjera të matjes së prirjeve dhe kërkesave të opinionit publik, sigurisht që për qeverinë dhe ministrat e rinj, busulla orientuese në punën e tyre, do të jetë programi i qeverisë që do të paraqitet dhe miratohet në shtator në Parlament.
Diçka për zhvillimet në opozitën e re. Si e shihni zgjedhjen e Bashës përballë Olldashit, lëvizjet e tij të para dhe çfarë opozite parashikoni të keni përballë?
Të dielën kur britanikët rrëzuan konservatorët pas 18 vjetësh nga pushteti dhe i dhanë votën Partisë Laburiste, duke u gdhirë e hëna, Tony Blair mori urimin nga kundërshtari politik dhe në orën 09.00 të 2 majit 1997, hyri në 10 Downing Street për të filluar punën si Kryeministër i Britanisë së Madhe. Ndërsa në Shqipëri, qeveria e re pritet të fillojë punë, 11 javë pas ditës së zgjedhjeve. Duke zbuluar në këtë mënyrë, një gabim trashanik të Kushtetutës, që duhet korrigjuar sa më parë. Periudhë kjo, që veç të tjerash, po i shërben qeverisë në ikje, që të vrapojë sa të mundë, për të mbuluar të gjitha zullumet apo për të përfunduar të gjitha paudhësitë që kishte projektuar për 4 vitet e ardhshme. Shqiptarët ia dogjën skenarin, duke i dhënë Sali Berishës mësimin që ai kurrë nuk e ka besuar se do ta merrte në këtë jetë. Ndaj, për të mbuluar shkaqet e vërteta të humbjes së thellë të 23 qershorit dhe për t’iu larguar “si djalli temjanit”, analizës së rezultatit, nxitoi që t’i tundte përpara syve demokratëve të tërbuar si demi, copën e kuqe të garës për pasardhësin e tij në krye të PD. Se ç’farë ndodhi në procesin e drejtuar nga Berisha mes Bashës dhe Olldashit, unë skam ç’di shtoj më shumë se ajo që ka analizuar Nr. 2 i PD, Astrit Patozi. Por, ajo që mund të shtoj është se Basha është një lloj lideri që vuan atë që sociologët e quajnë “sindromi i kungullit” i cili për të qëndruar në këmbë, do një hu’ ku të mbështetet. Ose siç i thonë nga fshatrat e Peqinit, ai vuan si lider, sëmundjen e bostanit që rritet në hije. Megjithatë, deri tani, Lul Basha si lideri i ri i opozitës së re, ka trashur vetëm zërin. Pavarësisht kësaj përpjekje të sforcuar për t’u dukur bas me zë baritoni, kam parë tek ai shenja pozitive. Gjatë fushatës për zgjedhjet për Kreun e Bashkisë së Tiranës, kuptoi që për të fituar, duhej të largonte nga skena Sali Berishën. Ndërsa pas zgjedhjes si Kryetar i PD, gjuha e përdorur në një status në Facebook-un e tij zyrtar, ishte shumë modern në raport me fjalorin e artikuluar prej tij publikisht. Pas largimit të Fatos Nanos nga skena politike më 2005 dhe Sali Berishës më 2013, Lulzim Basha ka shansin që një në 3 milionë shqiptarëve i jepet një herë të vetme në jetë, që të bëhet përfaqësuesi i një brezi të ri liderësh politikë përkrah Edi Ramës dhe Ilir Metës, për të ndërtuar Shqipërinë e re demokratike të post-tranzicionit të vështirë dhe të gjatë postkomunist.
MAPO
Add new comment