Alarmi, Rama: Jemi në buzë të greminës, borxhi 570 milionë USD

Postuar në 04 Tetor, 2013 03:57

“Punësimet e reja, për shkak të emergjencës. Shkurtim drastik në administratën e lartë”

Kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria është në buzë të greminës së krizës së thellë ekonomike. Këtë alarm, kryeministri shqiptar e dha në emisionin “Opinion” në TV KLAN, i cili theksoi se pa shlyer borxhet e prapambetura, nuk mund të nisin projektet për ndërtimin e rrugëve. “Duhet të çlirojmë ekonominë nga borxhi, s’mund t’u themi qytetarëve se ju paguani energjinë në një kohë që qeveria është debitoja më e madhe. Hapi i parë është të heqim këtë gur të madh nga qafa që ka bllokuar ekonominë, më pas duhet të fillojmë të mendojmë për rrugët. Duhet të njihet publiku për gjendjen ku jemi. Ne jemi një vend në krizë, s’jemi të dytët, pas Gjermanisë. Janë 570 milionë dollarë borxhe. Në një kohë që shteti është me arkën bosh. S’ka para për të furnizuar me naftë ushtrinë, policinë. Janë dhe 60 milionë dollarë detyrime të papaguara nga vendimet e gjyqësorit. Niveli i kredive të këqija ka shkuar në 25% dhe është alarmante”, deklaroi Rama. Kreu i ekzekutivit u shpreh se “askush të mos presë që vitin e parë të ndodhë çudia. E vërteta është se Shqipëria është një makinë e shkatërruar, shteti nuk i shërben. Vendi ka nevojë për ilaçin e së vërtetës për t’u shëruar”. Kryeministri Rama bëri të ditur se do t’i kërkojë kryebashkiakut të Tiranës, liderit të PD-së për rishikimin e planit të zgjerimit të kryeqytetit. “Projekti do të rishikohet për bulevardin e ri të Tiranës, këtë do t’ia kërkoj Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit. Synimi nuk është të bllokohet, por të modelohet në dialog me bashkinë. Është një bulevard në shkretëtirë. Këtë e gjykon kryetari i bashkisë, por edhe këshilli i KKRT-së. Do të kërkojmë rishikim dhe dialog me Bashkinë e Tiranës, nuk do të bllokojmë asgjë”, theksoi Rama. Ai deklaroi se nuk do të ketë një plan për prishjen e xhamisë së re të Tiranës. “Komuniteti Mysliman, them se nuk do të jetë i manipuluar nga qeveria. Ka qenë i manipuluar nga propaganda kundër opozitës, PS, nga segmente brenda komunitetit. Ka keqpërdorur prejardhjen fetare të përfaqësuesve të opozitës”, shtoi kryeministri.
Emërimet

Kryeministri i është përgjigjur edhe pyetjeve për emërimet e fundit në administratë, duke dhënë edhe arsyen se pse i ka kryer ato pa konkurs. “Gjendja në vendin tonë nga pikëpamja ekonomike dhe financiare është shumë e rëndë dhe vendosja e gjithë këtyre njerëzve është e imponuar nga një emergjencë për të ndalur hemorragjinë e përditshme në dogana dhe në tatime si dhe në sektorë të tjerë. Është dashur të veprojmë menjëherë, u prezantua drejtoresha e doganave në drekë dhe në darkë u kap një kontrabandë e përmasave që do të ishte e pamundur të imagjinohej të kapej, në Lezhë, në rendin e 4 milionë dollarëve. Si mund të ndodhin këto? Që një drejtor emërohet në drekë dhe në darkë e kapi. Pse nuk ndodhi kjo, sepse është një hemorragji që ndodh në të katër anët. Në raport me PBB, të ardhurat totale pritet të jenë më të ulëta se në 20 vite. Këtu është emergjencë, çdo ditë që kalon, qindra miliona dollarë janë jashtë kontrollit. Këta njerëz janë vendosur për të mbyllur portat kryesore të kësaj rrjedhje të madhe. Me kriterin që në këto vende duhet të vendosin urgjentisht njerëzit që duhet të ndalin hemorragjinë”, tha Rama.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.