Akuzat çojnë në dorëheqje të drejtorit të Policisë së Burgjeve

Drejtori i sapoemëruar i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, i emëruar në mes të muajit tetor 2013 ka dhënë dorëheqjen, ditën e sotme.
Sulejmani e ka bërë dorëheqjen e tij me anë të një letre drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zotos.
Vendimin për dorëheqje, Sulejmani e argumenton me faktin se nuk dëshiron që institucioni të dëmtohet nga akuzat, sipas tij të pavërteta, që janë ngritur ndaj tij nga një media e shkruar.
Letra e plotë:
“Me anë të kësaj kërkese, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të miratuar dorëheqjen time nga funksioni i Drejtorit të Policisë së Burgjeve të Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim nga ana ime vjen si pasojë e shqetësimit, në lidhje me disa lajme të pavërteta të publikuara në një organ të medias së shkruar pas emërimit tim në këtë detyrë.
Ndiej të domosdoshme të sqaroj me këtë rast, se asnjë prej akuzave ndaj personit tim nuk bazohet në fakte reale. Më lejoni të kujtoj për interes të publikut, se çështja në të cilën emri im është përfshirë pa të drejtë, është gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe është dhënë një vendim që mban nr 760, datë 08.07.2013, ku Gjykata ka vendosur deklarimin e pafajshëm ndaj personit tim.
Ndaj këtij vendimi, nga ana e Prokurorisë është ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit. Vetë organi i akuzës është bindur se akuza e ngritur ndaj meje nuk qëndronte, ndaj në seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit, nga ana e prokurorit të Apelit, është kërkuar të hiqet dorë nga apeli dhe të vendoset mospranim i ankimit.
Gjykata e Apelit Tiranë vendosi mospranimin e ankimit me vendimin nr. 4, të datës 12.01.2005”.
Dy ditë më parë, Partia Demokratike, akuzoi Sulejmanin se në vitin 2003 është arrestuar në Rinas, për trafik njerëzish.
Shekulli
Add new comment