AKIP, 10 arsyet pse Shqipëria duhet t’i refuzojë armët kimike

Postuar në 09 Nëntor, 2013 03:10

Apel për sensibilizim të qytetarëve nga shoqëria civile

Kajsiu: Shqipëria transformohet nga
destinacion turistik në destinacion toksik. 

Aleanca Kundër Importit të Plehrave, në një apel sensibilizues për publikun dhe qeverinë jep 10 arsye pse nuk duhet lejuar importi dhe shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri. Pasi fitoi betejën, edhe me ndihmën e qeverisë së re, për anulimin e ligjit për importin e plehrave, AKIP shprehet se për vetë territorin dhe specifikat gjeografike të Shqipërisë, shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri përbën një rrezikshmëri katastrofike për praninë e shumë burimeve ujore. Aleanca i kujton qeverisë se importi i armëve kimike bie në kundërshtim me premtimin e saj elektoral dhe qëndrimin që ka mbajtur në mënyrë konstante kundër importit të plehrave. 

“Në Shqipëri mungon infrastruktura e duhur e menaxhimit të demontimit të armëve kimike, mungojnë kapacitetet dhe ekspertiza mjekësore për të përballuar një aksident të mundshëm toksik, aeroportet, apo portet pritëse, mungon ekspertiza e specialistëve kimistë ushtarakë të lëndëve helmuese, gjatë dhe pas shkatërrimit të armëve kimike”, thuhet në apelin e AKIP kundër shkatërrimit në Shqipëri të armëve kimike siriane. Blendi Kajsiu, një nga drejtuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave, shprehet se në Shqipëri mungon legjislacioni për sigurinë, mbajtjen, transportin, ruajtjen, apo ndikimin në mjedis të armëve kimike apo nënprodukteve të tyre. 

“Mungesa e kuadrit rregullues ishte edhe një nga arsyet përse Norvegjia e refuzoi importin e armëve kimike. Kryerja e këtij operacioni në kushtet e mungesës së kuadrit të brendshëm rregullues do të rezultonte në shkelje të së drejtës së jetës (neni 2 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut), dhe të së drejtës për një jetë të qetë familjare (nenit 8 i Konventës)”, shprehet Kajsiu. 

Për AKIP, Shqipëria ka probleme me mbetjet kimike nga koha e komunizmit. “Mbetjet e lëndëve kimike luftarake të ç’aktivizuara në Qafmollë gjatë periudhës 2003-2008 ende nuk janë asgjësuar. Pa përmendur mbetje të tjera toksike nga industria e kohës së komunizmit”, shprehet Kajsiu. 

Konventa për Ndalimin e Armëve Kimike nuk lejon importin e tyre për qëllime asgjësimi. Shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri do të hapte precedentin për përsëritjen e këtij procesi dhe për raste të tjera. Në këtë mënyrë, sipas Kajsiut, prurja e armëve kimike për shkatërrim në Shqipëri dëmton imazhin e vendit tonë si destinacion turistik.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.