AK: Tre ministra të Berishës punojnë kundër Shqipërisë, Spiro Ksera të procedohet penalisht

Postuar në 21 Nëntor, 2012 09:59

Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar sot procedimin penal ndaj Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, për veprën penale të “dorëzimit të territorit” ose “Vënia në shërbim të shteteve të huaja”. Paraditen e sotme, aktivistë të kësaj partie kanë protestuar sërish kundër asaj që e kanë cilësuar sjellje antikombëtare të ministrit Ksera, i cili është takuar me deputetët e Agimit të Artë. Sipas tyre Ksera u ka deklaruar eksterimistëve grek se po punon për ndarjen e Shqipërisë dhe realizimin  e të ashtuquajturit “Vorioepir”.

“Kjo është qeveria e shtetasit Sali Berisha e përbërë nga tre ministra grekë dhe 13 filo-grek, të cilët ditë pas ditë po provojnë se punojnë kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Njëri shiti detin, tjetri kombësitë dhe tani faktet dhe tradhtitë flasin për punën që po bëhet nga ministrat e qeverisë për ndarjen e Shqipërisë. Ky ministër është turp kombëtarë mbi të gjitha në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi dënon ashpër dhe me forcë këto akte të tradhtarëve që janë mandatar nga Sali Berisha për të qeverisur shqiptarët. Kjo qeveri nuk është e shqiptarëve sepse ajo nuk gëzon më mbështetjen e popullit dhe po mbahet në këmbë prej aferave tradhtare dhe antikombëtare të shtetasit Sali Berisha i cili nuk rresht së turpëruari kombin shqiptarë”, ka deklaruar Sekretari i Rinisë Kuq e Zi, Adriatik Lapaj.

Sipas tij Aleanca Kuq e Zi ka një mesazh dhe për ata pseudo-patriotë që janë në koalicion me shtetasin Sali Berisha. “Ata që shitën çështjen kombëtare për tre poste drejtorësh të mos dalin me flamuj kombëtarë sepse e turpërojnë atë por të marrin vendime burrërore dhe të refuzojnë të jenë në koalicion me këtë qeveri tradhtare.

Aleanca Kuq e Zi i premton mbarë kombit shqiptarë se fundi i tradhtarëve po afron dhe një qeverisje kuqezi do të rikthejë dinjitetin e cenuar nga kjo qeveri, do të lartësojë identitetin kombëtarë dhe do të luftojë për realizimin e aspiratës shekullorë të shqiptarëve për bashkim kombëtarë. Për Aleancën Kuq e Zi trojet etnike të grabitura pabesisht nuk do të falen asnjëherë për asnjë çmim. Ne do të veshim kuq e zi oborrin e çdo pushtetari të shitur tek qarqet antikombëtare dhe antishqiptare.

Rroftë Shqipëria!”, ka përfunduar deklaratën Lapaj.

21 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.