AK, Spahiu: Spiro Ksera, ministri i papunësisë që punon për Greqinë

Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar pasditen e të mërkurës një takim me Rininë Kuq e Zi. Në këtë takim kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Ministrit të Punës, Spiro Ksera, politikave të tij dhe qeverisjes së demokratëve për rininë shqiptare.
“Të rinjtë kuqezi do të largojnë gardistët e vjetër”, deklaroi lideri i kuqezinjve.
“Të rinjtë kuqezi do e finalizojnë ëndrrën e studentëve të dhjetorit sepse vizioni i tyre shkon drejt perëndimit, ndërsa i partisë-shtet drejt lindjes”, deklaroi ndër të tjera Spahiu.
“Qeveria po rrit moshën e pensionit duke zvogëluar mundësinë e të rinjve për t’u punësuar dhe këtë po e bën qëllimisht. Kjo qeveri e ka rritur borxhin publik sepse e di që do të largohet me 23 qershor dhe në mënyrë djallëzore do t’ia lërë atë peshqesh rinisë shqiptare”, vijoi Spahiu, i cili tha gjithashtu se me PD dhe PS numërohen 1 milionë të rinj të papunë, pasi vizioni i këtyre forcave e sheh të ardhmen e rinisë shqiptare në Greqi dhe Itali.
Më tej kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, lëshoi akuza të forta në drejtim të Spiro Kserës.
“Ministri i papunësisë, Spiro Ksera, që ka për obligim të krijojë vende të reja punë për të rinjtë shqiptarë, është bashkëpunëtori kryesor i qeverisë shqiptare më “Agimin e Artë”. Kjo foto e tregon qartë se cili është niveli i përfaqësimit të “Agimit të Artë” në postet më të larta qeveritare të shtetasit Sali Berisha. Urdhëroni. Shikojeni, ky njeri ka deklaruar se e ka marrë postin e ministrit të Punës për të punuar për pavarësinë e të ashtuquajturit “Vorio Epir”. Spiro Ksera vetëm ka rritur papunësinë sepse punon për Greqinë”, deklaroi Spahiu.
“Aleanca Kuq e Zi nuk do të ndalet së denoncuar politikat antishqiptare të qeverisë së shtetasit Sali Berisha, që i faturohen në kurriz rinisë shqiptare. Vizioni i Aleancës Kuq e Zi për të rinjtë e Shqipërisë është më shumë se i qartë pasi pjesa dërrmuese e qindra-mijëra mbështetësve të AK në të gjithë Shqipërinë janë të rinj dhe AK do t’i japë shansin rinisë shqiptare për të jetuar në vendin e tyre krenar dhe me dinjitet,” tha Spahiu.
TEMA
Add new comment